Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Shkak për këtë në shumë raste janë pakënaqësitë për shqiptimin e gjobave në komunikacion. Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën ‘Holger Petersen’ në Prishtinë.
Sinjali mëson se zyrtarët policorë të cilët po shqiptonin disa gjoba për shoferët të cilët kishin parkuar veturat e tyre në kundërshtim me rregullat në trafik, kanë hasur në telashe me një qytetar.
Ky i fundit në shenjë pakënaqësie ka ofenduar dhe ka kërcënuar policët dhe si rrjedhojë është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, 26-vjeçari është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.