Telashet mes çifteve të cilët kanë zgjedhur që jetën ta ndajnë me njëri-tjetrin, bëjnë që ato shpesh herë të eskalojnë në dhunë psikike e fizike mes partnerëve. Atëherë kur problemet nuk kanë zgjidhje, shumë gra zgjedhin që të shpëtojnë nga dhuna përmes procesit të ndarjes. Por jo gjithmonë, ky vendim mirëpritet dhe respektohet edhe nga ana tjetër.
Një 28-vjeçarje nga Prizreni ka raportuar në Polici se tash e tetë muaj po përballet me presion nga i fejuari i saj, prej të cilit kërkon që të ndahet.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari e kërcënon vazhdimisht atë dhe familjen e saj, duke mos e lënë që të largohet nga ai. Viktima është shprehur e pasigurt nga veprimet e partnerit të saj dhe për këtë ajo ka kërkuar që të dërgohet në strehimore.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari nga fshati Tërstenik i Drenasit është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Kanosje’.