Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, ka dënuar sjelljen e ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ndaj një të riu sot në Prishtinë.
Sveçla fotografoi një aktivist sot në mëngjes, derisa Çitaku tha se këto sjellje janë të vrazhda e nuk i shërbejnë demokracisë, e po ashtu sipas saj, duhet të dënohen.
“Njerëzit që janë të veshur me fuqi politike, institucionale, duhen të jenë shumë të kujdesshëm se si e manifestojnë atë pushtet që e kanë. Kemi parë pamje jo të këndshme edhe sot në Prishtinë, ku një qytetar xhirohet nga një person i veshur me pushtet i rrethuar me badigardë”, u shpreh ajo.
Çitaku po ashtu foli për qasjen e VV-së karshi votueseve, derisa tha se është shumë e rëndësishme të mos ketë intimidim, të mos ketë frikësim dhe abuzim të pushtetit.
Po ashtu, Çitaku tha se PDK ka pranuar disa ankesa në disa komuna që janë në balotazh, se personat me nevoja të veçanta, kanë hasur në vështirësi për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.
“Kanë kaluar tashmë 9 orë nga hapja e vendvotimeve, dhe procesi zgjedhor po zhvillohet përgjithësisht qetë dhe pa incidente serioze. Në këtë drejtim, kemi pranuar disa ankesa nga disa komuna të ndryshme ku po zhvillohet balotazhi lidhur me rastet me personat me nevoja të veçanta, kanë pasur vështirësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ankesa që i kemi adresuar edhe në KQZ”, u shpreh Çitaku.
“Ndërkohë, mirënjohje sot për punën komisionerëve, vëzhguesve dhe mbi të gjitha të qytetarëve, që po kontribuojnë për një ditë zgjedhore të rregullt dhe demokratike”.
