Ndonëse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për rrëmbimin e gjashtë qytetarëve serb në veri të Kosovës, dhe dërgimit të tyre në Serbi, njohësi i sigurisë Nuredin Ibishi nuk e përjashton mundësinë që bandat kriminale që veprojnë në veriun e Kosovës të rrëmbejnë qytetarët serbë që janë kundër politikave serbe.
Ibishi thekson se nga qarqet ilegale kriminale në veri duhet pritur edhe veprimet tjera.
“Duhet pritur edhe këtë nga bandat kriminale, të cilat me qëllim i kanë bllokuar jo vetëm vendkalimet kufitare, por rrugët alternative për të kryer edhe akte të tilla. Kështu kjo është e pritshme dhe ka të bëjë me qytetarët serbë që nuk kanë dëshirë të identifikohen me politikën aktuale të Serbisë dhe të liderëve tyre dhe ekstremistëve në veri, kështu që jo që duhet pritur vetëm raste tilla, por edhe akte tjera, mirëpo nuk duhet të kufizohemi derisa të kemi një konfirmim zyrtar… Duhet pritur edhe akte tjera të veprimit edhe ndaj qytetarëve pa marrë parasysh cilit komunitet është serb, shqiptar, boshnjak apo të tjerë që jetojnë në këtë pjesë të vendit. Vazhdimi i akteve ekstremiste me hedhjen e shok bombave, me persona të armatosur në vendet e caktuara me persona dhe grupe të armatosura tregon se kjo po shkon në ekstremizëm të skajshëm dhe duhet reaguar shpejt me qëllim që të zhbllokohen rrugët dhe policia të kontrollojë dhe patrullojë gjithë territorin sidomos kur ka të bëjë me sigurinë e qytetarëve”, u shpreh Ibishi.
Ibishi konsideron se bllokada e krijuar në veri të Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt, ndërsa reagim të shpejtë kërkon edhe në rast se ka ndodhur rrëmbimi i këtyre gjashtë qytetarëve.
“Kam qenë çdo herë për atë që të veprohet me kohë edhe në rastin e barrikadave, po pritet shumë dhe ata vetëm po grumbullojnë mjete aty dhe tash vijmë në një situatë gati të bllokadës totale. Tash pritet një marrëveshje politike apo diçka tjetër, dhe Policia e Kosovës me institucionet tjera dhe KFOR-in duhet të reagojnë me kohë që t’i parandalojnë ato… Kjo duhet përfunduar sa më shpejt, nuk është problem shumë i madh për arsyeje se ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, një e drejtë elementare njerëzore. Këtu duhet reaguar shpejt, sidomos në raste ashtu si po flitet dhe që ende nuk janë të konfirmuara për rrëmbimin që mund të ketë pasoja apo përshkallëzim të mëtejmë të kryerve të veprime kriminale apo edhe terroriste. Çdo shtyrje po ka kushtëzim të ri, nuk shoh një marrëveshje të ardhshme për një kohë shkurtër politike, pasi kërkesat e tyre janë përtej një marrëveshje politike, për arsyeje se ata kërkojnë lirimin e personave që janë të involvuar në vepra kriminale edhe terrorizëm”, tha ai.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha u shpreh se tani problemet teknike janë shndërruar në ato të sigurisë.
Sipas tij tani strukturat ilegale serbe në veri të vendit po dëshirojnë që t’i “disiplinojnë“ qytetarët serb në veri të vendit që nuk e mbështesin politikën serbe.
Berisha kërkoi nga institucionet politike, por edhe të sigurisë së Kosovës që të ofrojnë mbrojtje dhe siguri për qytetarët në veri të vendit.
“Gabimi ka qenë që problemet teknike tash janë kthyer në probleme të sigurisë. Për ditë të tëra në veri ka vakum institucionale, qytetarët në veri janë qytetarë të Kosovës, përballen me probleme sikur gjithë qytetarët e tjerë të ekzistencës, dhe tash formacionet kriminale të ndikuara politikisht duke dashtë që të krijojnë probleme politike në mënyrë që kur të ulën në bisedime me pas përparësi, sepse për këtë janë duke u bërë këto, tash dëshirojnë t’i disiplinojnë qytetarët që nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e këtyre barrikadave e këtyre manipulimeve që vinë prej Beogradit. Shteti i Kosovës, institucionet e sigurisë duhet të veprojnë dhe t’i mbrojnë ata qytetarë. Do të thotë ata janë në dorë të krimit dhe i kanë marrë të disiplinohen në mënyrë që të përfshihen në këto organizime që janë artificiale, që nuk kanë shpirt apo nuk është burimore kjo që po bëjnë, por artificialisht po synojnë t’i përfshijnë qytetarët serbë në aktivitete për të paraqitur situatën para botës sikur ata janë të pa kënaqur, sikur janë të rrezikuar sepse devijojnë çdo deklaratë, sikur po mbrohen nda dikush, dhe në fakt ata janë veç të manipuluar dhe të rrezikuar nga bandat kriminale”, theksoi Berisha.
Anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha ka kërkuar që barrikadat e vendosura tash e sa ditë në veri të Kosovës duhet të largohen, dhe Policia e Kosovës të ushtrojë mandatin e saj për mbrojtje të qytetarëve. Sipas tij politika kosovare ka hyrë në binarët e përgatitur nga Beogradi.
“Kjo situatë duhet kthjellur, barrikadat duhet të hiqen, duhet Policia e Kosovës të ushtrojë mandatin e vet në mbrojtje të atyre qytetarëve dhe të një qetësie, por normalisht në koordinim me KFOR-in dhe NATO-n. Ne dihet që jem nën ombrellën e sigurisë së NATO-s e të SHBA-së. Gabimi i parë ka qenë se nuk ka pas koordinim kur janë ndërmarrë këto aksione. Politika jonë, qeveria jonë ka hyrë në ato shinat që na i ka përgatitur Beogradi neve. Ne është dashur t’i ruajmë ata qytetarë, është dashur t’i tolerojmë dhe mos të hyhet në ato politika apo në atë idenë ku kanë dashur të na shtie politika e Beogradit, e kemi paralajmëruar qeverinë që mos t’i bëjë ato gabime, mirëpo tash janë bërë. Këto dyshime janë që Qeveria e Kosovës e ka nijetin e keq, mirëpo nëse nuk e ka nijetin e keq atëherë ka edhe paaftësi për të menaxhuar situatën, ka mos dije se si zhvillohen këto rrethana”, u shpreh ai.
Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala u shpreh se nëse këta qytetarë janë rrëmbyer pa vullnetin e tyre, atëherë vlerëson se bëhet fjalë për shkelje të të drejtave të njeriut.
“Nuk ka asgjë zyrtarë që ata janë marrë, nuk dihet kush janë ata qytetarë, a janë shtetas të Serbisë apo të Kosovës, nuk dihet kush ka marrë apo ku janë dërguar. Po të ishte i vërtetë ky veprim, ata do të kishin avokatë, familjet e tyre do të reagonin dhe do të dihej arsyeja pse janë marrë… Në qoftë se reagon familja, dhe në rast se na ofron dëshmi se ata janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe vullnetin e tyre, atëherë ne e vlerësojmë se është shkelje e të drejtave të njeriut dhe reagojmë pavarësisht përcaktimit të tyre politik, mirëpo deri tani nuk kemi asnjë të dhënë”, tha Shala.
Gjatë ditës së djeshme KosovaPress ka raportuar se në dy ditët e fundit në veri të Kosovës gjashtë persona të komunitetit serb janë rrëmbyer dhe dërguar në Serbi.
Dyshimet janë se në këtë ngjarje janë të përfshirë agjentë sekretë të Serbisë. Të rrëmbyerit janë dhunuar fizikisht për shkak se kanë refuzuar të hyjnë në automjetin e rrëmbyesve. Ndërsa bëhet me dije se mes tyre është rrëmbyer edhe një ish-polic i Kosovës./KP/