Në emisionin EURO n’7 Sazan Ibrahimi, Drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka deklaruar se edhe këtë vit, sikur vitin e kaluar, komunat kanë pasur probleme të shumta me realizim të investimeve kapitale.
Ai, këtë mungesë e arsyeton fillimisht me mungesë të bordit të OSHP, ngritjes së çmimeve, pastaj mos amandametimit të Ligjit për Prokurim Publik, por sipas tij, edhe pas gjithë këtyre telasheve, niveli i investimeve kapitale lokal krahasuar me nivelin qendror, ka qenë shumë më i mirë.
“Realizimi i investimeve në nivel lokal ka ndikuar që të rritet i investimeve në përgjithësi sepse vitin e kaluar realizimi i investimeve në komuna ka qenë 63% edhe përkundër shumë problemeve, ndërkohë këtë vit nuk kemi komuna të cilat për gjashtë muaj nuk kamë realizuar investime kapitale. Në bazë të të dhënave që kemi siguruar si asociacion ka komuna që deri më tash kanë realizuar mbi 50% deri në 75% të projekteve kapitale”, ka thënë Ibrahimi.
Kreu i Asociacionit të Komunave ka thënë se tash në këtë periudhë kohore përveç komunave në veri të vendit nuk ka asnjë komunë tjetër me zero investime të realizuara.
Ibrahimi ka arsyetuar shkallën e ulët të investimeve kapitale në disa komuna edhe me problemet e shpronsimeve të cilat më pas shkojnë për trajtim në gjykata.
Sipas tij, shkalla e ulët e investimeve në komuna nuk është as për shkak të padijenisë e as burokracisë, pasi që, siç ka thënë ai, stafi në komuna është më professional sesa në qeveri.