Mëngjesin e 4 majit, u raportua për një ngjarje të rëndë që kishte ndodhur në diskotekën ‘Balles’ në Prishtinë, ku një person kishte mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. 34-vjeçari ishte dërguar me urgjencë në spital, ndërsa të dyshuarit ishin arratisur nga vendi i ngjarjes.
Pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga organet e hetuesisë, është arritur që të dyshuarit të identifikohet dhe të njëjtit janë ftuar që të paraqiten në stacion policor për të dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se të dyshuarit janë Arbër Salihu 36-vjeçar dhe Avni Bahtiri 33-vjeçar.
Salihu gjatë ditës së djeshme është paraqitur në stacion policor dhe është intervistuar në prezencën e avokatit të tij, ndërsa Bahtiri ende nuk është intervistuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Vrasje në tentativë’.