Kandidati i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka reaguar pas incidentit që ndodhi mes tij dhe kandidatit të LVV-së për komunën në fjalë.
Idrizi tha se ka qenë objekt i një kërcënimi nga Sylejman Meholli, kandidat i LVV-së për kryetar të Vushtrrisë, rast i cili thotë të ketë ndodhur pas një emisioni televiziv.
“Mirëmbrëma qytetarë të Vushtrrisë, miq dhe përkrahës. Pas debatit të sotëm në RTV Dukagjini me Jeta Xharrën, kam qenë objekt i një kërcënimi nga kandidati tjetër”, tha Idrizi në një postim në Facebook.
Ai tha se bashkë me dëshmitarët tjerë, “sapo kemi dhënë dëshminë në stacionin e policisë në Prishtinë. Rasti është në trajtim nga institucionet përkatëse”.
“E dënoj këtë akt dhe ju kërkoj ndjesë për shqetësimin. Gara për Vushtrrinë duhet të mbetet garë idesh dhe projektesh, jo kërcënimesh. Unë do të vazhdoj të përfaqësoj secilin qytetar me përgjegjësi dhe dinjitet”, deklaroi Idrizi.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës në Prishtinë, e cila rastin e ka cilësuar si “Kanosje”.
