Një ballafaqim tjetër mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, ka gjasa të ndodhë edhe të premtën e 19 korrikut, duke qenë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq raportohet se po tenton të kapë edhe një mundësi për kompromis me kryeministrin kosovar, Albin Kurtin.
Kështu pohoi gazetari Idro Seferi për Klan Kosova, i cili foli për zhvillimet e ditës së sotme në Beograd dhe pritshmëritë e atjeshme sa i përket këtij raundi të dialogut.
”Në Serbi thuhet se nuk ka pasur një progres në takimin e sotëm dhe që [Aleksandar] Vuçiq do të rrijë në Bruksel dhe do të qëndrojë që të tentojë të kapë edhe një mundësi për kompromis me Kosovën”.
”Ideja që nëse do të ketë një befasi deri nesër, por sigurisht që do ketë një tentim për të bërë edhe një takim, e në të besoj se Serbia do të marrë pjesë edhe nesër, pavarësisht rezultateve që kanë pasur sot, për shkak se e kanë promovuar veten si palë që është e gatshme për të dialoguar por që tensionet duket se janë rritur edhe në Serbi sa i përket dialogut edhe gjendjes në veri”.
Tutje Seferi përmend edhe atë sesi mediumet serbe e kanë paraqitur sot Serbinë si faktor stabiliteti dhe si palë të interesuar për të ruajtur paqen.
”Në Serbi është thënë në media, që fajin e ka Kosova për mosarritje të marrëveshjeve. Gjatë gjithë ditës janë transmetuar analistë dhe deklarata që kanë pozicionuar Serbinë si ‘faktor i stabilitetit dhe si faktor që është shumë i interesuar të arrijë marrëveshje e të vazhdojë të ruaj paqen dhe qetësinë në Kosovë’ ”.
”Serbia në vazhdimësi ka shkuar në këtë takim, duke ngritur tensione këtyre dy-tre javëve të fundit. Duke përmendur plane për likuidimin e serbëve, planet për dëbimin e serbëve. Por, duket që do të jetë një temë e cila nuk do të shmanget shumë lehtë. Tani është konfirmuar edhe zyrtarisht që Vuçiq ka ftuar serbvët e Kosovës për të dielën në orën 11.00 që të diskutojë me ta lidhur me atë që kanë diskutuar në Bruksel”.
”Kemi pasur edhe paralajmërime që nuk do lejohet të ndodhin incidente në veri”.