Moti i ngjashëm me atë të sotmin pritet të mbajë edhe nesër, ndërsa nga dita e enjte parashihet përkeqësim i kushteve atmosferike, përfshirë ulje të temperaturave dhe reshje bore. Kështu kanë bërë të ditur nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Sipas meteorologut Besim Aliu, moti do të jetë kryesisht i vranët, i shoqëruar me riga shiu me intensitet mesatar deri të lartë. Nga dita e enjte pritet rënie e temperaturave, ndërsa gjatë natës do të fillojnë reshjet e borës.
Ai theksoi se presioni atmosferik aktualisht është nën vlerat normale, ndërsa erërat fryjnë kryesisht nga jugperëndimi dhe veriperëndimi i vendit. Temperaturat e ulëta që do të vazhdojnë edhe të enjten dhe të premten pritet të krijojnë kushte për ngrica në gjithë territorin e Kosovës.
Ndërkohë, reshjet e shiut gjatë ditës së sotme kanë qenë të konsiderueshme në disa zona të vendit. Sipas të dhënave të fundit, sasitë më të mëdha të reshjeve janë regjistruar në Junik, me rreth 250 litra për metër katror, ndërsa në rrethin e Gjakovës janë shënuar 200 deri në 220 litra për metër katror. Reshje të mëdha janë regjistruar edhe në Gllogjan dhe fshatrat përreth.
Po ashtu, Malisheva është përballur me reshje të shumta, të cilat kanë shkaktuar edhe vërshime gjatë ditës së sotme.
Nga Instituti Hidrometeorologjik bëhet e ditur se reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës, ndaj qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
