IKD-ja tregon se KQZ ia refuzoi akreditimin për monitorimin e zgjedhjeve

IKD-ja tregon se KQZ ia refuzoi akreditimin për monitorimin e zgjedhjeve

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka njoftuar se i është refuzuar aplikimi për akreditim për zgjedhjet e 28 dhjetorit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kjo organizatë thekson se lidhur me këtë ka pranuar një Njoftim nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.

IKD thotë më tej se sipas “ligjit të procedurës administrative dhe standardeve që KQZ do të duhej zbatonte gjatë ushtrimit të fushëveprimtarisë së saj çdo vendim administrative që e miraton duhet të jetë i arsyetuar dhe transparent, si dhe duhet të garantojë të drejtën për të përdorur mjete juridike për kundërshtim”.

“Në rastin konkret, vendimi për refuzimin e aplikimit të IKD-së nuk përmban arsyetim të qartë dhe të detajuar, duke e bërë të pamundur verifikimin e bazës ligjore të vendimit si dhe mungon e drejta e informimit lidhur me këshillën juridike për ta kundërshtuar këtë vendim.  Kjo shkel parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe të drejtës për mbrojtje juridike, dhe krijon hapësirë për arbitraritet dhe politizim në marrjen e vendimeve”.

“Për më tepër, vendimi i publikuar nga kjo zyrë cenon të drejtën e organizatave joqeveritare për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si një mekanizëm i rëndësishëm i transparencës dhe llogaridhënies. Sikurse, interpretimi i paraqitur se IKD “nuk i plotëson kriteret” për akreditim është i pabazuar, arbitrar dhe selektiv, duke devijuar nga fryma dhe qëllimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në njoftimin e këtij Instituti,

Vendimi i Zyrës së KQZ-së, sipas IKD-së,  jo vetëm që keqintepreton Ligjin per Zgjedhjet por edhe shkel standardet ndërkombëtare. Praktikat ndërkombëtare të OSBE/ODIHR, Këshillit të Evropës dhe standardet e demokracive perëndimore e njohin rolin e organizatave të shoqërisë civile në vëzhgimin e zgjedhjeve bazuar në misionin e tyre për transparencë, llogaridhënie dhe interes publik, jo vetëm nëse kanë të shkruar fjalën “zgjedhje”  apo “drejtat e njeriut” në statut.

“Kërkesa e tillë formale dhe kufizuese është e paprecedentë në Kosovë dhe bie ndesh me qasjen praktike të KQZ-së ndër vite. Ky veprim krijon dyshime serioze për politizim dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor. Cënimi i rolit të organizatave të shoqërisë civile në procesin zgjedhor është sulm ndaj demokracisë, transparencës dhe integritetit të zgjedhjeve”.

“Në anën tjetër, njoftimi i pranuar nënvizon se “aplikimi i OJQ-së IKD refuzohet”. Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike nuk e ka të drejtën e refuzimit të një aplikimi të një OJQ. Rregullorja Zgjedhore Nr. 08/2024 thekson se “KQZ miraton ose refuzon kërkesat…..”. Në këtë drejtim, Zyra në fjalë ka të drejtë t’i bëjë Rekomandim KQZ për miratimin apo refuzimin e një aplikimi dhe jo që vet të marrë këtë vendim”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë më tej se do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat administrativë dhe ligjorë për të kundërshtuar vendimin, transmeton Klankosova.tv

IKD i bën thirrje KQZ-së që të rishqyrtojë praktikat e saj të brendshme, dhe siç thotë të rrit profesionalizmin brenda mekanizmave të saj në mënyrë që të ndalen praktika e tilla të pabazuara në ligj.

Related Articles