IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve ishte kryesisht meritor dhe transparent

IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve ishte kryesisht meritor dhe transparent

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) pas monitorimit të procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe pesë Prokurorive Themelore (Prizren, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Ferizaj) thekson se procesi ishte përgjithësisht i drejtë, meritor dhe transparent, raporton Gazeta Enigma.

“Panelet vlerësuese aplikuan një qasje të barabartë ndaj kandidatëve dhe dallimet në poentime ishin brenda kufijve të vlerësimit të lirë”.

Nga ky institut theksojnë se “Në disa raste, poentimi dhe arsyetimet e dhëna nga anëtarët e paneleve vlerësuese përfshinin vlerësimet e performancës së kaluar të kandidatëve, edhe pse këto janë kritere formale për t’u pranuar në garë dhe jo për të ndikuar në vlerësimin e kritereve për përzgjedhje të Kryeprokurorëve”, thekson raporti.

Sipas gjetjeve të IKD-së, përdorimi i këtij kriteri paraqet vlerësim të dyfishtë derisa mosaplikimi i këtij arsyetimi tek të gjithë kandidatët paraqet një lloj pabarazie. Për këtë arsye, IKD në raport vlerëson se aplikimi i këtij kriteri duhet të shmanget në të ardhmen.

Sa i përket procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, IKD tha se ka evidentuar disa probleme.

 “Diskrepancë të theksuar në vlerësimin e kandidatëve nga anëtarët e panelit vlerësues, ku për të njëjtin kandidat, pikët për të njëjtat kritere ndryshonin ndjeshëm”.

“Kjo krijoi perceptimin e preferencave personale të anëtarëve të panelit në raport me kandidatët për kryeprokurorë të Prokurorisë së Apelit. Tutje, sa i përket këtij procesi, IKD evidentoi se në një rast, njërit prej kandidatëve nuk iu parashtrua një pyetje e cila i ishte parashtruar të gjithë kandidatëve të tjerë. Derisa në një rast tjetër, në bazë të monitorimit, IKD vlerëson se një pyetje nuk ishte mjaftueshëm e qartë”, thuhet në raport.

Sipas raportit, procesi ishte përgjithësisht transparent, me përfshirjen e monitoruesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Megjithatë, panelet vlerësuese nuk siguruan qasje të plotë në arsyetimin e poentimit të dhënë, duke ofruar këto dokumente vetëm në shikim”.

Raportin gjen se sa i përket barazisë gjinore, pjesëmarrja e grave ishte shumë e ulët, ku nga 15 kandidatë, 5 prej tyre ishin gra dhe 10 ishin burra.

Related Articles