Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një konference për medie ka publikuar raportin “Politika Ndëshkimore në krimet speciale”.
Ky raport përfshin gjetjet e analizimit të 103 aktgjykimeve të Departamentit Special (DS) të Gjykatës Themelore (GjTh) në Prishtinë dhe 52 vendimeve të Departamentit Special të Gjykatës së Apelit (GjA).
Sa i përket politikës ndëshkimore, Zamira Krasniqi, hulumtuese në IKD, theksoi se kjo organizatw ka gjetur se në rastet e 103 aktgjykimeve, 49.5% e masës së dënimeve të shqiptuara e përbëjnë dënimet me burgim efektiv, 43.8% e dënimeve të shqiptuara janë dënime me gjobë derisa 6.5% të dënimeve janë me kusht” tha ajo.
Sa i përket politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit, raporti i IKD gjen se ndaj 40 personave të dënuar, gjykatat kanë shqiptuar 75 dënime. Në 46 raste (61.3%) DS i GjTh në Prishtinë ka shqiptuar dënim me burgim efektiv derisa në 29 raste të tjera (38.6%) është shqiptuar dënim me gjobë. Sa i përket politikës ndëshkimore, Krasniqi theksoj se “IKD ka gjetur raste të mos respektimit dhe mos aplikimit adekuat të rrethanave lehtësuese e rënduese, ashtu siç përcaktohet me Udhëzuesin për Politikën Ndëshkimore”.
Gjetjet e IKD tregojnë se vit pas viti (me përjashtim të vitit 2020), DS i GjTh në Prishtinë nuk arriti të zgjidhë aq lëndë sa ka pranuar, edhe përkundër rritjes së numrit të gjyqtarëve. Kështu, numri i lëndëve në punë u rrit vit pas viti, nga 63 lëndë në pritje në fillim të vitit 2020, në 125 lëndë në fund të vitit 2023. Situatë e njëjtë nuk qëndron me DS të GjA e cila e ka zgjidhur çështjen e ngarkesës me lëndë ashtu që tanimë mund të konsiderohet se kjo gjykatë nuk ka ngarkesë të pa menaxhuar me lëndë.
Sa i përket efikasitetit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në DS të GjTh në Prishtinë, sipas raportit të publikuar nga IKD, periudha e trajtimit të lëndëve vazhdon të jetë e gjatë. Sipas aktgjykimeve të analizuara, mesatarja e trajtimit të një rasti në DS të GjTh në Prishtinë është 709.2 ditë. Kështu, kohëzgjatja e trajtimit të rasteve shfaqet si problematikë edhe në DS të GjTh në Prishtinë.
Sipas raportit të publikuar nga IKD, numrin më të madh të të dënuarve për korrupsion sipas aktakuzave të PSRK e përbëjnë zyrtarët policor dhe qytetarët dhe jo zyrtarët e nivelit të lartë.
“Ndaj 40 personave që nga Gjykata janë shpallur fajtorë, 24 prej tyre janë zyrtarë policor apo qytetarë. Kështu, nga totali i personave të dënuar sipas aktakuzave të PSRK-së, 60% e të dënuarve janë zyrtarë policor apo qytetarë. Derisa theksoi se pa këta zyrtarë policor dhe qytetarë, përqindja e personave të dënuar nga Departamentit Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë sipas aktakuzave të PSRK-së do të ishte vetëm 22.8%, nëse të njëjtit nuk do të shpalleshin fajtorë, apo vetëm 34.7%, nëse aktgjykimet përkitazi me këto aktakuza nuk do të ishin subjekt i analizimit. Kështu, suksesi i PSRK në provimin e aktakuzave në raste të mëdha, sipas të cilave raste karakterizohet mandati i saj, është jashtëzakonisht i limituar” theksoi Krasniqi.
Raporti i IKD thekson se në bazë të aktgjykimeve të analizuara, aktgjykime dënuese janë shqiptuar ndaj një ministri, një drejtor i AKI -së, një kryetari komune, një sekretari në ministri dhe një gjyqtari, ku shumica e këtyre vendimeve janë në shqyrtim në Gjykatën e Apelit sipas ankesave të parashtruara.
Në anën tjetër, Krasniqi theksoi se IKD ka gjetur se DS i Gjykatës së Apelit nuk ka ngarkesë të pamenaxhueshme me lëndë, me ç’rast u evidentua progres në lidhje me rastet e kthyera në rigjykim: “Nga totali i vendimeve, Gjykata e Apelit në këto rast ka kthyer në rigjykim vetëm 3.8% të rasteve dhe asnjë prej këtyre vendimeve nuk i përket rasteve të korrupsionit”, tha Krasniqi.
Gjithashtu, Krasniqi tha se IKD ka gjetur se problematikë mbetet edhe mosaplikimi i dënimeve plotësuese, të cilat janë shqiptuar në vetëm 32.5% të rasteve. Ndërsa sa i përket çështjes së konfiskimit, ajo tha se në bazë të aktgjykimeve të analizuara, rezulton se se në asnjë rast të vetëm të korrupsionit, Departamentit Special nuk ka vendosur të konfiskojë pasurinë e përfituar me vepër penale. Kurse, tha se vendimi për konfiskim është përfshirë në vetëm një rast të korrupsion, por jo për vepër penale korruptive.
Ky raport u publikua në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2024”, e cila organizohet me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Zbatimit të Ligjit (INL), ndërsa organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile (IKD, FOL, INPO) me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”.