Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas deklaratave të ministreve në detyrë, Donika Gërvalla dhe Albulena Haxhiut pas aksionit të Prokurorisë Speciale në Ministrinë e Bujqësisë.
Sipas IKD-së, duke ofruar mbrojtje institucionale ndaj personave subjekt të hetimit për afera korruptive, cenohen rëndë vlerat dhe parimet e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe kjo sipas këtij instituti “paraqet promovim të kulturës së pandëshkueshmërisë”
“Deklaratat e akterëve politik që i cilësojnë aksionet e Prokurorisë si “inskenim i gërditshëm” dhe si “hakmarrje” janë të papërgjegjshme dhe përbëjnë tentim për të denigruar punën e prokurorëve të PSRK”.
“Deklaratat e tilla, ashtu siç e kemi thënë në vazhdimësi, përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe të papranueshme në sistemin e drejtësisë, dëmtojnë dhe rrezikojnë pavarësinë institucionale të Prokurorisë si dhe cenojnë besimin e publikut jo vetëm në institucionet e drejtësisë por edhe tërë sistemin publik të Republikës së Kosovës. Deklarata të tilla janë në kundërshtim me thirrjet dhe rekomandimet e publikuara në raporte vendore dhe ndërkombëtare ku kërkohet të respektohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe parimi i ndarjes së pushteteve”.
“Përdorimi i pozitës politike për të sulmuar personalisht prokurorë që janë në ushtrim të detyrës zyrtare për hetimin e dyshimeve për korrupsion është praktikë e dëmshme që cenon ndarjen e pushteteve dhe krijon precedentin e rrezikshëm të pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë të pushtetit”.
“Praktika e këtij lloji, bie ndesh me parimet kushtetuese dhe me pritjet e qytetarëve për sistem të drejtësisë të pavarur dhe të paanshëm. Në anën tjetër, sulmet e tilla përbëjnë shembull të keq për qytetarët, veçanërisht në një kontekst ku është thelbësore ndërtimi i besimit të publikut ndaj institucioneve të drejtësisë. Në vend që të garantojnë transparencë dhe bashkëpunim me organet e drejtësisë, përfaqësues të Qeverisë në detyrë dhe të partisë Guxo kanë zgjedhur rrugën e përballjes publike për të mbrojtur një ministër nga hetimi.”
“Pavarësisht se çfarë pozite mban një individ, askush nuk është mbi ligjin. Çdo pretendim për abuzim me detyrën publike duhet të hetohet pa ndërhyrje dhe pa presion politik. Kjo qasje paraqet respektim të standardeve të qeverisjes së mirë dhe nuk nënkupton paragjykim të fajësisë. Deklaratat e znj. Gërvalla përbëjnë përpjekje për të frikësuar dhe diskredituar organet e ndjekjes penale, gjë që përbën rrezik serioz për funksionimin demokratik të institucioneve. Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se qëndrime të tilla përbëjnë rrezik për rrënimin e sundimit të ligjit në vend. Qëndrimet e Ministres në detyrë dhe të Partisë Guxo e bëjnë edhe më të vështirë luftën kundër korrupsionit, të cilën qeveria Kurti 2 pretendonte ta kishte pasur prioritet”.
IKD ka ftuar të gjithë akterët politikë, përfshirë partinë në pushtet dhe ministrat në detyrë, që të përmbahen nga deklaratat denigruese ndaj sistemit të drejtësisë, të lejojnë që institucionet përkatëse të kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe të mos përdorin institucionet e shtetit për të mbrojtur interesa personale apo partiake.