“Ikja natën prej shtëpisë, qajsha e u kthejsha” – I mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftën rrëfen tmerrin që përjetoi

“Ikja natën prej shtëpisë, qajsha e u kthejsha” – I mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftën rrëfen tmerrin që përjetoi

Ramadan Nishori, i mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka rrëfyer publikisht për vuajtjet e tij.

Ai ishte i burgosur nga regjimi serb në disa burgje. Në fillim të majit të vitit 1999, ai tha se u transferua në burgun e Dubravës, pasi kishte kaluar në burgun e Prishtinës e në brugun e Lipjanit.

“Përjetova një masakër. Për mua në atë kohë vdekja ishte paqe”. Kështu e përshkruan Nishori qëndrimin aty.

Pas lirimit nga burgu më 16 mars 2001 me ndihmën e Kryqit të Kuq, ai tha se u martua, gjë që e bëri më optimist për jetën, por ta linte të kaluarën pas, tha se ishte “e pamundur”.

“Në atë kohë jetojsha me prindërit edhe vëllezërit shumë dhe pasi u martova, i thashë vetes, do ta lë të kaluarën mbrapa dhe do ta fillojë një jetë të re, por kjo ishte e pamundur. Çdo natë mu kujtojke ajo çka më ka ndodhë. Jetojsha me frikë se mos po e heton dikush për rastin që ka ndodhë”, tha ai.

Natën, ai tha se dilte qante dhe kthehej prapë në shtëpi.

“Thojsha unë jam burrë dhe për këtë që kam përjetu nuk duhet me ditë kurrkush, se thojsha, nënçmohem, më bullizojnë. Isha shumë i mbyllur në vete. Më vinte me qajtë, me bërtitë. Ikja natën prej shtëpisë. Dilsha. Qajsha, u çfryjsha, e kthehesha në shtëpi”.

Tregoi se si një natë kishte vendosur t’i tregonte bashkëshortes për torturat e tij.

“Më tha po të mundon diçka. Pa mendu shumë, i tregova. Thashë unë kur jam arrestu, në stacionin e policisë në Drenas më ka ndodhë fillimisht. Ajo heshti. Ia nisi me kajtë ashtu në heshtje dhe nuk biseduam më kurrgjë. Nesër në mëngjes, po më thotë ‘Dan, luftë ka qenë dhe çdonjërit ka mund t’i ndodhë kjo. Deri sot e ke pasë përkrahjen tem, e sot e tutje ke me pasë edhe më shumë’”.

Me bashkëshorten, ai diskutoi se si t’i tregohej kjo vajzës së tyre.

“Të nesërmen e thirra, i thashë me dalë me e pi një kafe. Flutura është shtylla e shtëpisë sonë.

“Kemi dalë për kafe, jemi ulë dhe me fjalë nuk kam mund t’i them. Ia kam qitë vendimin të cilin komisioni qeveritar ma ka njoftë statusin. Ia qita përpara. Vajza si e pa, më tha ‘babush unë për këtë e di qe 3-4 vjet’. U çua më kapi për qafe e më tha ‘çdoherë më ke në krah’. Në atë moment u ndjeva shumë i çliruar. U ndjeva sikur prej vetes me m’u heq 500 kilogramë”.

Më pas, u kishte treguar edhe djemve, dhe pas kësaj, tha se ndihej “baba i vërtetë”.

Nga Fushë Kosova, ku tha se jetonte me qira pas lirimit nga burgu, Ramadan Nishori tha se për një kohë kishte vendosur të shkonte për të jetuar në Malin e Zi, pasi disa herë kishte dashur të paraqitej në organizatën që i mbron të mbijetuarit e dhunës seksuale, por s’kishte mundur të futej brenda.

“Kam shkuar dhjetëra herë, por kurrqysh nuk mujsha me e marrë vendimin me hy brenda. Vendosa, thashë më mirë me ikë prej Kosovës krejt. E mora familjen dhe shkova në Malin e Zi. Por edhe atje, shumë më pengojke gjuha. U kthyem prapë në Kosovë”.

Ai tregoi edhe se si u motivua nga Vajsfije Krasniqi.

“Një natë, e pashë me një intervistë ishte Vasfije Krasniqi, e cila për mua ishte heroinë e gjallë. I marrsha shumë lakmi. Thojsha që kjo po folë, po çfryhet. E kështu, i kam shkruar Vasfijes. Faleminderit shumë prej saj, ma ka kthyer menjëherë”.

Related Articles