IKSHPK apel qytetarëve: Vloni ujin para përdorimit

IKSHPK apel qytetarëve: Vloni ujin para përdorimit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, sot prapë ka bërë thirrje për vlim të ujit para përdorimit.

IKSHPK ka potencuar se uji para përdorimit patjetër duhet të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike.

IKSHPK ka kërkuar që të shfrytëzohen resurset e sigurta ose uji i ambalazhuar.

“Ekipet e Institutit Kombëtar kanë ngritur vigjilencën dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të pijes. Të gjitha QRSHP në Kosovë janë në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare pa ndërprerë me specialistët e ekologjisë humane dhe epidemiologjisë dhe po monitorojnë situatën epidemiologjike e cila është në kontroll dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka treguar edhe gjendjen ujësjellëset në Kosovë.

Duke pasur parasysh se janë regjistruar vlera të shtuara të turbullirës në shumë burime, si pasojë ka vështirësi në trajtim të ujit në zonat me të dhënat e përditësuara (21 Janar 2023):

KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: fabrika në Shkabaj dhe fabrika në Drenas.

Dy fabrikat janë jashtë funksionit për shkak të pamundësisë të proceseve teknologjike të përpunimit te ujit. Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërë zonat e shërbimit të KRU-Prishtina. Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e IKSHPK janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.

KRU “Mitrovica”- Rajoni Mitrovicë: Fabrikat në Shipol- Mitrovicë dhe në Balicë- Vushtrrisë kanë startuar trajtimin e ujit me kapacitet të zvogëluar. Në mostrat e grumbulluara, analizat laboratorike fiziko-kimike dhe bakteriologjike rezultojnë se uji nuk është brenda standardeve, andaj rekomandohet që uji para përdorimit të vlohet.

Për shkak të vërshimeve uji i puseve nuk është i sigurt dhe duhet patjetër të vlohet para përdorimit.

KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: burimin Drini i Bardhë –Radavc dhe burimi Shkozë, Junik.

Turbullira vazhdon me qenë prezente në burimet Burimi Drini i Bardhë-Radavc dhe burimi Shkozë-Junik.

Ndërsa, për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi Jarine – Klinë dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga fabrika e ujit në Klinë.

Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP – Pejë janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.

KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës: burimi në Demjan, Gërqinë dhe Rekë.

Në zonat e furnizimit nga KRU”Gjakova” gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë, të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm.

Në zonat e furnizimit nga burimet në Demjan, Gërqinë dhe Rekë uji nuk është për pije për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës.

KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë dhe sistemi në Kaçanik.

Te gjitha mostrat e ujit, të cilat janë marrë dje dhe sot në Ferizaj dhe Kaçanik janë brenda standardeve për ujin e pijes.

Uji në rrjetet shpërndarëse është normalizuar dhe është brenda standardeve të parapara për ujë të pijshëm.

Related Articles