Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me një varg rekomandimesh për t’u mbrojtur nga nxehtësia dhe temperaturat e larta. Instituti tha se kjo valë e të nxehtit mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, sidomos për grupe të cenueshme.
ISHPK-ja ka rekomanduar që t’i shmangni daljet jashtë dhe aktivitetet e rënda gjatë kohës më të nxehtë, të qëndroni në hije e t’i kaloni 2-3 orë gjatë ditës në vend të freskët. Po ashtu, Instituti ka rekomanduar që të mbani shtëpinë të freskët duke hapur dritaret në mbrëmje, kur temperaturat janë më të ulëta.
Gjatë ditës mbyllni dritaret dhe mbulojini me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit.
Po ashtu, Instituti rekomandon që të vishni rroba më të lehta dhe të bëni dush. Rekomandohet që të pini vazhdimisht ujë deri në 2-3 litra në ditë.
Mos i lini kurrë fëmijët apo kafshët në automjete të parkuara – temperatura rritet shpejt në mënyrë të rrezikshme.