Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, duke thënë se vaksinat që i ka Kosova në dispozicion janë të sigurta, raporton Gazeta Enigma.
Tutje, IKSHPK-ja ka njoftuar se deri më tani në Kosovë janë vaksinuar 29.704 persona me dozën e parë dhe asnjë nga ta nuk kanë raportuar efekte të rënda pasvaksinale
Nga IKSHPK-ja kanë thënë se derisa sasia e vaksinave është e pamjaftueshme për vaksinimin e 70% të popullatës, është e rëndësishme që së pari të vaksinohen personat që janë në rrezik më të lartë të sëmuren rëndë ose të vdesin nga COVID-19, si dhe ata që kanë një rrezik të lartë të infektimit me COVID-19 për shkak të kontaktit me pacientët e infektuar.
“Ekipet e profesionistëve shëndetësor janë duke realizuar me një dinamikë të shtuar procesin e vaksinimit, duke zbatuar standardet më të larta profesionale, andaj të gjithë së bashku të mbështesim punën e tyre në këtë situatë të vështirë të shëndetit publik”, është thënë nga IKSHPK.