Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, duke thënë se do të rikthehet në Lëvizjen Socialiste për Integrim më 24 korrik 2022 pasi të ketë përfunduar mandatin si kreu i shtetit.
“Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 Korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e shqiptarëve”.
Meta i përgjigjet edhe deklaratës së Monika Kryemadhit, e cila më herët gjatës ditës së sotme tha se LSI gaboi me strategjinë e djegies së mandateve dhe bojkotimit të zgjedhjeve vendore.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falenderon kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve. Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morrën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor”.
Kujtojmë se përpara zgjedhjeve Ilir Meta deklaroi se do të dorëhiqet nga posti i Presidentit të Republikës nëse Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama fiton e vetme zgjedhjet për herë të tretë. Edhe pse KQZ ka shpallur fituese Partinë Socialiste me 74 mandate, mesa duket Ilir Meta është dorëhequr nga dorëheqja, transmeton Tv Klan.