Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në inaugurimin e “Murit të nderit” nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael.
Të pranishëm ishin edhe Joseph DioGuardi, Kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Lekë Rezniqi, Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, si dhe ambasadorët Jeffrey Hovenier i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Joern Rohde i Republikës Federale të Gjermanisë.
Në ambientet e Parkut të Qytetit në Prishtinë, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar të jetë pjesëmarrës në ceremoninë e inaugurimit të këtij muri i cili nderon vetëmohimin dhe sakrificën e shqiptarëve në Kosovë që shpëtuan miqtë dhe fqinjët e tyre hebrenj nga e keqja e Holokaustit.
“Falë punës së përbashkët të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, ne kemi nxjerrë në sipërfaqe këtë pjesë të rëndësishme të historisë së përbashkët të dy popujve tanë. Falë përpjekjeve të tyre, emrat e këtyre heronjve do të mbeten përgjithmonë të gdhendur në këtë mur, në vend që të harrohen me kalimin e kohës”, u shpreh kryeministri.
Njëkohësisht, ai cilësoi se “Muri i Nderit” jo vetëm që përkujton aktet heroike, por shërben edhe si monument i vlerave të përbashkëta dhe i miqësisë së qëndrueshme të popullit të Kosovës dhe popullit hebre në mbarë botën. Sipas tij e përbashkëta mes këtyre dy popujve qëndron në ndjenjën e privimit nga shtëpia, në kuptimin e plotë të fjalës.
“Dhe për të dy popujt, ishte themelimi i një shteti – shteti i Izraelit dhe shteti i Kosovës – që më në fund u dha atyre ndjenjën e fortë të shtëpisë, nga e cila ata ishin privuar më parë”, shtoi kryeministri.
Fjalën e tij, kryeministri e përmbylli duke kujtuar se ky “Mur i Nderit” i kushtohet jo vetëm historisë, por edhe pasardhësve. Bindshëm do të shërbejë si një simbol i fuqishëm i miqësisë së përjetshme të popujve tanë – tani dhe për brezat që do të vijnë.