Dy qytetarë të nacionalitetit serb janë arrestuar mbrëmë pas mesnate, pasi të njëjtit dyshohet se kanë sulmuar fizikisht dy qytetarë shqiptarë në rrugën ‘Princi Millosh’ në Mitrovicën e Veriut.
Burimet e Gazetës Sinjali Brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në një kafene ku po qëndronin palët e përfshira, e ku dy të dyshuarit fillimisht kanë fyer viktimat e më pas të njëjtit i kanë sulmuar fizikisht.
Viktimat janë dërguar në spital për tretman mjekësor, ndërkohë që kanë dhënë edhe dëshmitë e tyre lidhur me rastin.
Po ashtu, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të hetohen në liri për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.