Indi: Rreth 100 viktima nga vala e madhe e temperaturave të nxehta

Indi: Rreth 100 viktima nga vala e madhe e temperaturave të nxehta

Të paktën 96 njerëz kanë vdekur në dy nga shtetet më të populluara të Indisë gjatë disa ditëve të fundit, thanë zyrtarët indian të dielën, duke bërë të ditur se një pjesë e vendit po lëkundet nga një valë e madhe e të nxehtit, raporton Associated Press, raporton Gazeta Enigma.

Vdekjet ndodhën në shtetin verior të Uttar Pradesh dhe Bihar lindor, ku autoritetet paralajmëruan banorët mbi 60 vjeç dhe të tjerë që vuanin nga sëmundje të ndryshme të qëndrojnë brenda gjatë ditës.

Të gjitha viktimat në Uttar Pradesh, gjithsej 54, u raportuan në rrethin Ballia, rreth 300 kilometra (200 milje) në juglindje të Lucknow, kryeqyteti i shtetit. Autoritetet zbuluan se shumica e atyre që vdiqën ishin mbi 60 vjeç dhe kishin probleme shëndetësore paraekzistuese, të cilat mund të jenë përkeqësuar nga nxehtësia e fortë.

S. K. Yadav, një oficer mjekësor në Ballia, tha se në tre ditët e fundit, rreth 300 pacientë janë pranuar në spitalin e rrethit për sëmundje të ndryshme të rënduara nga vapa.

Për shkak të rëndesës së situatës, autoritetet anuluan aplikimet për leje të personelit mjekësor në Ballia dhe siguruan shtretër shtesë spitalor në repartin e urgjencës për të përballuar fluksin e pacientëve.

Zyrtarët thanë se shumica e pacientëve të pranuar janë të moshës 60 vjeç e lart, duke shfaqur simptoma të temperaturës së lartë, të vjella, diarre, vështirësi në frymëmarrje dhe probleme të lidhura me zemrën.

R.S. Pathak, një banor i Ballisë, i cili humbi të atin të shtunën, tha se ishte dëshmitar i një fluksi të shtuar të pacientëve në pavijonin e urgjencës së spitalit teksa kujdesej për të atin.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë në Balli. Unë kurrë nuk kam parë njerëz që vdesin për shkak të nxehtësisë në një numër kaq të madh, “tha ai. “Njerëzit kanë frikë të dalin jashtë. Rrugët dhe tregjet janë kryesisht të shkreta”.

Të dielën, rrethi përjetoi një temperaturë maksimale prej 43 gradë Celsius, duke tejkaluar kufirin normal me pesë gradë. Lagështia relative u regjistrua në masën 25%, duke intensifikuar efektin e vapës. /Gazeta Enigma

Related Articles