Një udhëheqës fetar radikal hindu, Sudhir Suri, është qëlluar për vdekje në Indinë veriperëndimore.
58-vjeçari u vra të premten, derisa po protestonte në Amritsar – shtëpia e Tempullit të Artë me famë botërore, një nga vendet më të shenjta në Sikizëm.
Suri ishte lideri i vetëquajtur i grupit fetar Hindu Shiv Sena.
Një shitës lokal u arrestua më pas në lidhje me vrasjen, thanë autoritetet.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në shtetin Punjab, Gaurav Yadav, tha se i dyshuari ishte duke u marrë në pyetje.
“Kushdo që qëndron pas tij dhe kushdo që ka krijuar komplotin do të zbulohet dhe ata që qëndrojnë pas tij do të arrestohen”, tha ai.
Sikët në Indi dhe jashtë saj kanë akuzuar më parë Surin për komente nënçmuese për besimin dhe komunitetin e tyre.
Sipas policisë, Suri kishte qenë në Amritsar jashtë një tempulli lokal, për të protestuar kundër përdhosjes së supozuar të hyjnive hindu.
Vitet e fundit Amritsar është përballur me një varg vrasjesh me motive fetare.
Në shtator, një burrë u vra në publik pasi u akuzua se pinte duhan dhe ishte i dehur pranë Tempullit të Artë.
Vitin e kaluar, një burrë u rrah për vdekje pasi dyshohej se po përpiqej të kryente një akt sakrilegji pranë tempullit.