India dhe Pakistani kanë akuzuar njëra-tjetrën për “shkelje” disa orë pasi të dy vendet thanë se kishin rënë dakord për një armëpushim pas disa ditësh sulmesh ushtarake ndërkufitare.
Pasi u dëgjuan shpërthime në Kashmirin e administruar nga India, Sekretari i Jashtëm i Indisë, Vikram Misri, tha se kishte pasur “shkelje të përsëritura të marrëveshjes së arritur”, raporton BBC.
Pak kohë më vonë, Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se mbetej “e përkushtuar ndaj zbatimit besnik të armëpushimit… pavarësisht shkeljeve të kryera nga India në disa zona”.
Por disa orë pas njoftimit, banorët në qytetet kryesore të Kashmirit të administruara nga India, Srinagar dhe Jammu, raportuan se kishin dëgjuar tinguj shpërthimesh dhe kishin parë shkëndija në qiell.
Sekretari i Jashtëm Indian, Vikram Misri, tha: “Gjatë orëve të fundit, ka pasur shkelje të përsëritura të marrëveshjes së arritur”
Misri tha se forcat e armatosura të Indisë “po jepnin një përgjigje të përshtatshme” dhe e përfundoi informimin e tij duke “i bërë thirrje Pakistanit që t’i adresojë këto shkelje”.