Rënia e të infektuarve me COVID-19 në nivel vendi, ka ndikuar që edhe në Klinikën Infektive të bie numri i personave që kërkojnë hospitalizim, por në këtë klinikë pacientët e hospitalizuar me COVID-19 ende janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe shumica kanë nevojë për oksigjeno-terapi.
Infektologu i Klinikës Infektive, Sali Ahmeti, ka folur për variantin e ri indian që ka prekur shumë vende të botës.
“Gjendja aktuale edhe në nivel vendi por edhe në Klinikën Infektive është më e qetë. Ne kemi numër të rasteve më të vogël që kërkojnë dhe kanë nevojë për hospitalizim. Aktualisht ne në Klinikën Infektive kemi të hospitalizuar 86 pacientë, sidoqoftë numri i rasteve të reja të cilët kërkojnë hospitalizim ka rënë dukshëm në javën e fundit. Në klinikë janë raste mjaft të rënda. Janë pacientë të cilët kryesisht kanë forma të rënda të sëmundjes dhe janë në trajtim e sipër dhe rehabilitim e sipër për shkak të komplikimeve të rënda, që ka shkaktuar sëmundja primare e tyre. Ndërsa, rastet e reja të hospitalizuara janë më të pakta, por gjithsesi ato raste që kërkojnë hospitalizim. Zakonisht janë raste të rënda dhe po thuajse të gjitha kanë nevojë për mbështetjen me oksigjeno-terapi dhe terapi tjetër përcjellëse”, tha Ahmeti.
Njëherit Ahmeti ka shtuar se varianti britanik që preku në muajt e fundit edhe kosovarët, ka treguar se është virus që përhapet më shpejt, sidomos te mosha 30 deri 50 vjeç.
Sipas tij, gjendja e pacientëve të infektuar me variantin britanik ka qenë e rëndë dhe ka pasuar përkeqësime të shpejta, që kanë kërkuar edhe trajtim intensiv.
“Me variantin britanik, i cili në dy-tre muajt e fundit ka qenë mjaft i pranishëm edhe në mes e pacientëve tanë është një variant i cili ndoshta vlen për ta veçuar prej variantit të mëparshëm ose origjinal, sepse ka prekur mosha më të reja. Ne kemi pasur prekje më të shpejta prej moshave 30 deri në moshën 50 vjeçare. Ka pasur përhapje më të shpeshtë në mesin e personave të kontaktit. Dhe në këto moshat e reja ka shkaktuar forma të rënda të sëmundjes, të cilat kanë pasur përkeqësime të shpejta. Kanë kërkuar kujdes intensive të shpejt në kohën e duhur dhe me tretmanin e duhur, por gjithsesi ky variant nuk ka kursye moshat e shtyra”, u shpreh infekologu i Klinikës Infektive.
Meqenëse tashmë bota është duke u goditur edhe nga një variant i ri i COVID-19, i cili po njihet si varianti indian, infektologu Ahmeti thotë se shumë shpejt edhe Kosova mund të preket me këtë lloj të coronavirusit.
Tashmë ka një javë që në Kosovë përfundoi shpërndarja e 24 mijë dozave të vaksinës kundër COVID-19, dhe shpejt pritet të vijnë dozat e reja. Prandaj, infekolgu Ahmeti kërkon që ritmi i vaksinimit të jetë më i shpejt sepse arma më e mirë të të luftuar pandeminë është imunizimi i qytetarëve.
Madje, ai thotë se rënia e të të infekturave me COVID-19 në ditët e fundit në vendin tonë nuk duhet të shërbejë si moment relaksimi, pasi që ende jemi në luftë me pandeminë.
Nga muaji shkurt edhe në Kosovë ka nisur trajtimi i pacientëve me plazmën konvalescente, e vetëm në Klinikën Infektive deri tani këtë lloj trajtimi e kanë marrë rreth 70 pacientë.
Sipas infekologut Ahmeti, kjo lloj terapie ka dhënë efekte të mira kur është aplikuar në kohën e duhur dhe tek pacienti i duhur.
“Sikurse çdo bar tjetër apo çdo metodë tjetër e tretmanit të COVID-it edhe plazma konvalescente nuk është ndonjë metodë terapeutike që bënë mrekullia, por ajo ndihmon dhe në mënyrë të veçantë edhe tek ne ka treguar efekte të mira kur ajo është dhënë në kohën e duhur dhe pacientët e duhur… Pacientët e Klinikës Infektive asnjëherë nuk kanë hezituar me marr plazmën, përkundrazi kemi pasur kërkesa me dhënë plazmën edhe në rastet kur nuk kanë qenë indikative për marrjen e saj, kështu që ata e kanë marr dhe pa asnjë shqetësim të veçantë dhe ka ndihmuar për në rastet indikative ka pasur efektet e mira… Besoj që rreth 70 pacientë e kanë marrë në Klinikën Infektive”, u shpreh ai.
Në Kosovë numri i rasteve aktive me coronavirus është mbi 9 mijë e 200, ndërsa të shëruar janë mbi 93,500 qytetarë. E betejën me coronavirus e kanë humbur mbi 2, 100 qytetarë. Gazeta “Enigma”.