Sindikata e infermierëve, Oda e infermierëve dhe shoqatat e infermierëve të psikiatrisë, neurologjisë, instrumentareve dhe shoqata të tjera, kanë paralajmëruar protestë gjatë muajit shtator, me kërkesën për miratimin e Ligjit të pagave.
Përparim Berisha, kryetar i Sindikatës të infermierëve, tha se në momentin që numri i rasteve të infektuara me COVID-19 do të zvogëlohet, do të caktohet data e saktë e protestës.
“Me kërkesën e infermierëve ne sot jemi mbledh ku kemi mbajt mbledhje të jashtëzakonshme për bashkëpunim në realizimin e kërkesave tona që janë sa më shpejt të bëhet Ligji i pagave dhe infermierëve. Kërkesat tona që të hymë në protestë dhe grevë por për shkak të situatës që ndodhet vendi ne vendosëm që gjatë këtij muaji të jemi në kontakt me Odën e infermierëve dhe shoqatat që t’i harmonizojmë qëndrime tona. Protesta do të mbahet shumë shpejt. “Unë i kam shkruar kryeministrit por nuk kam marr përgjigje nga ai. Ne duam veprime konkrete që janë duke punuar për miratimin Ligjin e pagave”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, edhe Naser Rrustemaj, kryetar i Odës së infermierëve, tha se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të realizohen.
“Ne morëm vendim në mënyrë që gjatë shtatorit do të organizojmë protestë dhe nuk do të tërhiqemi në të gjitha kërkesat tona. sepse janë kërkesa të drejta dhe legjitime nuk të ndalemi”.
Ndërsa, Magbule Elezi, kryetare e Shoqatës së Mamive, tha se shpreson që përmes protestës të merren më seriozisht kërkesat e tyre.
“Shoqata e mamive i është bashkangjitur ftesës për t’i shtyrë përpara kërkesat që kemi, po shpresojmë që numri i infektuarve do të bie, besoj që përmes kësaj proteste do të marrim më seriozitet kërkesat e punën tonë. Ne jemi duke punuar në maksimum për mos t’iu munguar asgjë qytetarëve”.Hasime Zeneli, kryeinfermiere në Neurologji tha se gjendja është e mjerueshme në QKUK.