Inflacioni në nëntor: Pemët shtrenjtohen 16%, rryma 15,5% e mishi gati 14%

Inflacioni në nëntor: Pemët shtrenjtohen 16%, rryma 15,5% e mishi gati 14%

Çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme në nëntor 2025, duke arritur një inflacion vjetor prej 5,3% krahasuar me nëntorin 2024, sipas të dhënave të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK). Ndërkohë, inflacioni mujor, krahasuar me tetorin 2025, ishte 0,4%.

Sipas Agjencisë së Statistikave, rritja vjetore është nxitur kryesisht nga shtrenjtimet në disa kategori kyçe të shportës së konsumatorit. Rritjet më të larta janë regjistruar te shërbimet e tjera që lidhen me pajisjet personale të transportit (18,1%), pemët (16,1%), energjia elektrike (15,5%), biletat e fluturimeve (14,6%), mirëmbajtja e automjeteve (14,1%), kafeja, çaji dhe kakaoja (14%), mishi (13,7%) dhe pushimet e organizuara (13,5%).

Rritje të theksuara kanë pësuar edhe çmimet e produkteve bazike si qumështi, djathi dhe vezët (10,5%), druri dhe lëndët e tjera të ngurta djegëse (9,6%), shërbimet ambulatore (8,9%), shërbimet hoteliere (8,8%) dhe pajisjet terapeutike (8,4%). Edhe duhani, kujdesi personal, vajrat dhe yndyrat, prodhimet ushqimore, buka dhe drithërat kanë shënuar rritje mes 5% dhe 6%.

Nga ana tjetër, ulje të çmimeve janë vërejtur vetëm në disa nënkategori, kryesisht te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-0,8%) si dhe te blerja e automjeteve (-0,5%), me ndikim minimal në inflacionin total.

Shtrenjtim edhe në bazë mujore

Sipas ASK-së, inflacioni mujor prej 0,4% gjatë nëntorit është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i disa prej kategorive të njëjta. Më së shumti janë rritur çmimet e shërbimeve të tjera për pajisjet e transportit personal (5,1%), qumështit, djathit dhe vezëve (4,2%), perimeve (3%), energjisë elektrike (1,8%), karburanteve (1,6%), mishit (1,1%) dhe produkteve të kafesë, çajit dhe kakaos (1%).

Ndërkohë, ulje të çmimeve janë regjistruar te biletat e fluturimeve (-15,9%) dhe pushimet e organizuara (-8,2%), duke reflektuar fundin e sezonit të lartë të udhëtimeve.

Të dhënat sugjerojnë se presionet inflacionare vazhdojnë të jenë të pranishme, sidomos në ushqime, energji dhe shërbime, duke ndikuar drejtpërdrejt në buxhetet familjare.

Related Articles