Injorimi i dy garancave dhe vazhdimi i paraburgimit të Thaçit, çfarë tha Simmons për Gjykatën Speciale?

Injorimi i dy garancave dhe vazhdimi i paraburgimit të Thaçit, çfarë tha Simmons për Gjykatën Speciale?

Gjatë ditës së djeshme janë raportuar zhvillime të rëndësishme dhe interesante në Gjykatën Speciale që lidhen me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe kërkesën për lirimin e tij me kusht. Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe ka dërguar në Speciale kërkesën për lirimin e ish-presidentit, ndërsa gjithashtu ka thënë se dy shtete të fuqishme kanë dhënë garancë për lirimin e tij me kusht, por pavarësisht kësaj, Specialja vendosi t’ia vazhdojë paraburgimin Thaçit.


Në parashtresat e avokatit të ish-presidentit Thaçi, të cilat dje u raportua t’i ketë parë lajmi.net thuhet se dy shtete të fuqishme, njëra prej tyre kontribuese në Gjykatën Speciale kanë dhënë garancë për lirimin me kusht të tij.

“Më e rëndësishmja, që nga Vendimi i Parë, mbrojtja për Z. Thaçi tani ka marrë garanci me shkrim nga dy shtete, (“Shtetet e Treta”), njëra prej të cilave është një shtet kontribues, për të lehtësuar lirimin e z. Thaçi në territoret e tyre përkatëse”, thuhet në parashtresën e Keohes.

Por, pak më vonë gjatë ditës së djeshme, kjo u injorua tërësisht. Gjykata Speciale vendosi për vazhdimin e paraburgimit të presidentit Thaçi me vendim të gjykatësit të procedurës paraprake, Nicholas Guilou.

Në vendimin e tij të specifikuar, gjyqtari Guillou ka urdhëruar mbrojtjen e Thaçit që parashtresat në lidhje me rishikimin tjetër të paraburgimit t’i dërgojë deri më 31 gusht.

Paraprakisht, avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, ka dërguar në Gjykatë parashtresat e tij për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit. Në këto parashtresa, Keohe përveç kundër-argumentimit të fakteve të prezentuara nga Prokuroria, jep detaje edhe për garancitë e ofruara për lirimin nga paraburgimi të Thaçit.

Ndërsa, këto zhvillime në Speciale vijnë shumë pak kohë pas raportimit të ish-kryegjykatësit të misionit të EULEX’it në Kosovë, Malcolm Simmons i cili tronditi opinonin me deklaratat e tij për misionin dhe për Gjykatën Speciale.

Ai para deputetëve të Kosovës tha se ai nuk i beson Dhomave të Specializuara dhe se besimi i tij në to është i barabartë me besimin që ai e ka në gjyqësorin e Rusisë ose Iranit. Ai shtoi se ka vërejtje edhe në komunitetin ndërkombëtar karshi Gjykatës Speciale.

“Në Gjykatën Speciale kam po aq besim sa do të kisha pasur në një gjykatë në Rusi apo në Iran. Ky është niveli i besimit që unë e kam në Dhomat e Specilizuara të Kosovës…Ka shqetësime të mëdha në nivel të komunitetit ndërkombëtar në lidhje me nivelin e kompetencave të Gjykatës dhe në lidhje se si po administrohet drejtësia”, tha Simmons.

Ndër të tjera, Simmons i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të reagojë pasi sipas tij, Gjykata Speciale “është aty vetëm për t’i ndëshkuar ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”.

Por, akuza të ngjashme Simmons kishte edhe për misionin e EULEX’it në Kosovë. Ai në raportimin e tij kishte cituar gjykatësin Charles Smith që sipas tij kishte thënë se duhet dënuar të akuzuarit në rastin ‘Kleçka’.

“Shtetet anëtare të Eulexit presin dënime”, e citoi Simmons gjykatësin Charles Smith.

Simmons tha se gjykatësi i këtij rasti e kishte emëruar veten si gjykatës të Apelit. Ai tha se ishte kërcënuar nga gjykatësi britanik, i cili sipas tij kishte kërkuar që të kishte dënime në këtë rast.

“Në katër raste të ndara, ka pasur pretendime se Charles Smith ka provuar të ndërhyjë në gjykime. Mund t’ju ofrojë dokumente për të gjitha katër rastet. Dhe nuk ishte vetëm gjyqtari Smith që donte të ndërhynte”, tha Simmons.

“Shfajësimi shihej si dështim”, theksoi Simmons.

Mbetet të shihet se cilat do të jenë zhvillimet dhe veprimet e ardhshme në Gjykatën Speciale ndaj ish-presidentit Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po vazhdojnë të mbahen në paraburgim./gazetametro

Related Articles