Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se inkursioni i ushtrisë ukrainase në tokën ruse nuk ka ndikuar në të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” të Moskës, një shprehje që Kremlini e përdor për ta përshkruar luftën e tij kundër Ukrainës.
Duke folur në Forumin e Euroazisë Lindore në qytetin rus Vlladivostok, Putini pretendoi se, duke dërguar trupa në rajonin Kursk të Rusisë, Ukraina i ka dobësuar forcat e veta në rajonin lindor të Donbasit, ku forcat ruse kanë çarë përpara në ditët e fundit.
“Synimi i armikut ishte të na zemëronte, të tallej, t’i zhvendoste trupat tona nga njëra anë në tjetrën, dhe ta ndalte ofensivën tonë në drejtime kyçe, para së gjithash në Donbas”, tha Putin.
“A ia doli armiku ta arrijë këtë? Jo, nuk arriti asgjë”, shtoi ai.
Putini pretendoi se forcat ruse “e stabilizuan gjendjen dhe filluan ta zmbrapsin dalëngadalë armikun nga territoret përgjatë kufirit”, ku forcat ukrainase u futën në territorin rus në fillim të gushtit.
Ky veprim e la Ukrainën pa mjete për “ta ndalur ofensivën tonë” në lindje të Ukrainës, tha Putin.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Ukraina ka arritur “shumë” në inkursionin e saj, “por është e vështirë të thuhet se si do të zhvillohet situata më tutje”.
“Vetëm ukrainasit mund të marrin vendime të vështira që nevojiten, si për shembull, se ku t’i zhvendosin forcat e tyre dhe se çfarë lloji i luftës është i duhur në këtë situatë”, tha Stoltenberg.
Kievi pretendon se i ka marrë nën kontroll më shumë se 1.200 kilometra katrorë të tokës ruse falë inkursionit befasues muajin e kaluar. Kjo është hera e parë prej Luftës së Dytë Botërore që ndodh një inkursion në tokën ruse.