Drejtoria e Inspeksionit në Prishtinë në kuadër të aktiviteteve të planifikuara ka vazhduar aksionin për heqjen e “shtëpizave reklamuese”, shkruan Gazeta Enigma.
“Drejtoria e Inspekcionit në kuadër të aktiviteteve dhe aksioneve të planifikuara, në përputhje edhe me kërkesat e Kryetarit të Komunës, z.Përparim Rama, ka vazhduar aksionin për heqjen e “shtëpizave reklamuese” të cilat ishin të vendosura në hapësira të gjelbëruara në pjesë të ndryshme të qytetit të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje kjo drejtori përmes një postimi në profilin e tyre në Facebook ka njoftuar se ka pastruar edhe trotuarin e rrugës “Tirana”.
“Gjithashtu, Drejtoria e Inspekcionit sot gjatë ditës ka asistuar edhe lirimin dhe pastrimin e trotuarit përgjatë rrugës “Tirana” në Prishtinë”.
Sipas tyre aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me qëllim të lirimit të hapësirave publike.
“Aksione të tilla, të cilat kanë për qëllim lirimin e hapësirave publike do të vazhdojnë edhe në të ardhmen prandaj si Drejtori e Inspekcionit vlerësojmë se mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i qytetarëve është jetik në synimin tonë të përbashkët për transformimin e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e tyre./Gazeta Enigma/