Inspektorati i Prishtinës reagon ndaj Pecit: Lirimi i pronave të Ministrisë s’është përgjegjësi e jona

Inspektorati i Prishtinës reagon ndaj Pecit: Lirimi i pronave të Ministrisë s’është përgjegjësi e jona

Drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Florian Dushi, ka thënë se lirimi i pronave që i përkasin ministrive nuk janë në përgjegjësinë e Komunës, pas akuzave të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.

Në një shkrim në Facebook të enjten, ministri Peci ka thënë se Komuna e Prishtinës ka sabotuar vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale për t’i liruar hapësirat ku vepron një operator ekonomik. I ka bërë kërkesë Ministrisë së Infrastrukturës që përmes kompetencave që ka, “të asistojë në implementimin e aktgjykimit”.

Por Dushi ka thënë se kjo nuk ka fare lidhje me kryeqytetin.

“Mbrojtja dhe lirimi i pronave të ministrisë që udhëheq ministri është përgjegjësi e tij dhe e institucionit që ai drejton, dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kryeqytetin apo Inspektoratin e Kryeqytetit”, ka thënë ai, sipas një komunikate dërguar mediave.

Dushi ka theksuar rëndësinë e mirëkuptimit të qartë të detyrave dhe përgjegjësive të caktuara nga legjislacioni në fuqi, duke vënë në dukje rolin specifik dhe të pavarur të Inspektoratit të Kryeqytetit në këto procese.

“Inspektorati i Kryeqytetit mbron dhe liron, sipas autorizimeve ligjore, vetëm pronën publike – atë të Kryeqytetit. Pavarësisht kësaj, ne kemi qenë gjithmonë bashkëpunues dhe kemi organizuar disa takime me zyrtarët e Ministrisë për t’i ndihmuar në sqarimin e procedurave ligjore dhe veprimeve të nevojshme për lirimin e pronës së tyre. Ne ishim të gatshëm të asistojmë edhe përmes kompanisë sonë të kontraktuar për rrënimin e ndërtimeve pa leje, por kemi marrë udhëzime nga Zyra Ligjore e Kryeqytetit se kontrata jonë vlen vetëm për Komunën e Prishtinës dhe nuk mund të aplikohet për institucione të tjera”, ka shtuar ai.

Për këtë arsye, “Inspektorati i Kryeqytetit thekson se nuk mund dhe nuk do të veprojë në kundërshtim me kontratën dhe ligjin, duke i përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e të tretëve, në këtë rast të ministrit Peci”.

Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale, siç ka njoftuar Peci, e ka hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë për çështjen e lirimit të pronës së Ministrisë, që po shfrytëzohet nga një operator ekonomik përball Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Related Articles