Redaktorja e RTK-së, Blerta Foniqi Kabashi, e ka fituar rastin e degradimit të saj në pozitë pasi ishte ankuar në Inspektoratin e Punës.
Në njoftimin që ajo vetë e ka bërë publik, thuhet se të njëjtës i është ndërruar pozita jashtëligjshëm, pasi Inspektorati ka konstatuar se Blerim Haxhiaj nuk ka mandat si U.D Kryeredaktor.
Rrjedhimisht, Foniqi-Kabashi duhet të kthehet në detyrën e saj si redaktore e lajmeve qendrore në RTK.
“… punëdhënësi, RTK, përkatësisht z. Blerim Haxhiaj me rastin e inicimin e procedurës disiplinore ndaj znj. Blerta Foniqi Kabashi, në pozitën e Redaktores së lajmeve qendrore nuk ka pasur mandat të bëjë një veprim të tillë pasi që mandati tij ka përfunduar më datën 15.09.2025, dhe marrja e këtij veprimi nga ana e tij, është në kundërshtim më Nenin 3 dhe 4 të Rregullores për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK, pasi i njëjti ka përfunduar mandatin me të cilin është caktuar ushtrues detyre në pozitën e kryeredaktorit”, thuhet mes tjerash në vendimin e Inspektoratit të Punës.
E juristja e mediave, Flutura Kusari, është shprehur e gëzuar me vendimin e Inspektoratit të Punës në rastin e Foniqi-Kabashit.
Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje po tenton që përmes metodave “alla Viktor Orban” për ta kontrolluar tërësisht RTK-në. Por, ajo tha se këto metoda “nuk kalojnë”.
“Redaktorja lajmeve qëndrore Blerta Foniqi është larguar nga edicioni i lajmeve për shkak se kishte raportuar për një raport të një organizate ndërkombëtare ku kritikohej RTK-ja. Kjo ka qenë vetëm një shkas për ta larguar nga lajmet qendrore”.
“Së fundmi, Blerta ka qenë filtri i vetëm ndaj propagandës në lajmet qendrore. Me largimin e saj, lajmet qendrore u shndërruan në përralla politike, të shkruara në selinë e VV dhe të lexuara në TV pak para kohës së gjumit të fëmijëve”, tha Kusari.
Ajo shtoi se e bën të lumtur fakti që “propaganda e VV-së nuk do të kalojë për aq kohë sa Blerta do t’i redaktojë lajmet (kur është në ndërrim)”.
“Urime, Blertë. Mbaje frontin, mos u dorëzo dhe ta dish që nuk je vetëm! Nëse nuk zbatohet vendimi që ajo të kthehet në lajme qendrore përgjegjëse është direkt Lëvizja Vetëvendosje”, shkroi Flutura Kusari.
