Institucionet e Kosovës cak i sulmeve kibernetike, MPB: Nuk ishin të suksesshme

Institucionet e Kosovës cak i sulmeve kibernetike, MPB: Nuk ishin të suksesshme

Gjenden në dy anët e kundërta të globit, por Kosova nuk ka mbetur e paprekur nga sulmet kibernetike të Rusisë.

Cak i hakerëve që dyshohet të jenë rusë, janë bërë faqet e internetit të institucioneve publike gjatë kësaj jave.

Ministria e Punëve të Brendshme ia ka konfirmuar Dukagjinit se seri e sulmeve kibernetike janë identifikuar pasditen e së hënës dhe të mërkurën.

Kurse cak, sipas saj, kanë qenë faqet e institucioneve kryesore si Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme, Zyrës së Presidentes dhe Kuvendit të Kosovës.

Pavarësisht qëllimit që këto faqe të nxirreshin nga funksioni, kjo sipas MPB-së nuk është arritur.

Përkundër faktit që sulmet kibernetike kanë qenë të organizuara mirë, nuk ka pasur ndërprerje të shërbimeve që ofrohen për qytetarë dhe institucione, dhe se sistemet e sigurisë për monitorim dhe parandalim të sulmeve kibernetike kanë arritur që të identifikojnë sulmet si të tilla dhe të parandalojnë çfarëdo qasje të paautorizuar në infrastrukturën e të dhënave”.

MPB thotë se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit ka grumbulluar të dhëna të rëndësishme për burimin e sulmit, të cilat i ka përcjellë tek organet e zbatimit të ligjit.

Mirëpo, ASHI-ja nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizonit.

Kurse, ish-udhëheqësi i kësaj agjencie, Kujtim Gashi, shqetësuese mbetet mungesa e transparencës nga institucionet.

“Kemi përvojë jo të mirë me procesin zgjedhor ku dështoi faqja e KQZ-së e asnjëherë, s’kemi pasur reagim se çka ka ndodhë. ASHI  si përgjegjëse për sistemet softverike duhet të ketë autonomi më të madhe dhe të ketë një pavarësi për t’u deklaruar në informacione zyrtare. Kapacitet e saj janë kapacitete të mjaftueshme, ka mjaftueshëm potencial njerëzor dhe teknik pjesërisht”, ka thënë Gashi.

Përveç ndaj institucioneve, siç merr vesh Dukagjini, sulme kibernetike ka pasur edhe ndaj kompanive private siç është KEDS-i.

Studiues të sigurisë kibernetike thonë se autori dhe lloji i sulmit është i qartë. Sipas Halil Berishës, arsye për këto sulme është përkrahja e Kosovës ndaj Ukrainës.

Ai bën thirrje që të respektohen standardet e sigurisë.

“Kosovës i mungon domeni zyrtar, sikur ‘.al’ për Shqipërinë, dhe krijimi i autoritetit për menaxhim të domeneve kombëtare do t’i mundësonte kontroll e siguri më të madhe dhe do të zvogëlonte varësinë nga palët e treta. CERT (Computer Emergency Response Team) më efektiv si në informimin e publikut ashtu edhe në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve në ndarjen e informatave, përvojave dhe këshillave për rritjen e sigurisë. Gjithashtu në plan pak me afatgjatë, ti kushtohet rëndësi shumë më e madhe, që nga arsimi edhe para-universitar mësimit dhe krijimit të inteligjencës artificiale”, ka thënë Berisha.

E nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë në vendimin për të kryer sulme të tilla ndikon edhe mungesa e krijimit të institucioneve të specializuara për këtë fushë.

“Institucionet veprojnë si të ndara njëra me tjetrën dhe mosthemelimi i Agjencisë Kosovare për Siguri Kibernetike të cilat janë të parapara të krijohej nga 2023 e ka arritë cenueshmërinë e Kosovës për faktin që këto hapa kanë mundur të merren më herët dhe nuk janë ndërmarrë. Andaj çfarëdo sulmi që ballafaqohemi e rezulton të jetë si shkak i mospërgatitjes të duhura duhet të faturohen tek ngecja për krijimin e institucioneve”, ka thënë drejtori i QKSS-së, Mentor Vrajolli.

Kjo nuk është hera e parë që institucionet kosovare bëhen cak i sulmeve kibernetike.

Related Articles