Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka reaguar lidhur me raportimet në media për një raport preliminar mbi vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili ndërroi jetë pas ndërhyrjes policore gjatë arrestimit në Lipjan.
Përmes një njoftimi zyrtar, IML konfirmon se autopsia për të ndjerin është kryer ditën e djeshme, me urdhëresë të Prokurorisë së Shtetit dhe në prani të zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
“Me urdheresë nga Prokuroria e Shtetit, dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) është kryer autopsia për të ndjerin Agon Zejnullahu. Autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës. Ne kemi parë sot nëpër portale të ndryshme lajmin se ka dalur raporti preliminar për rastin në fjalë. Me përgjegjësi morale e profesionale, deklarojmë se nga IML nuk ka dalur ndonjë raport i tillë, dhe ky lajm si i tillë është jo i vërtetë.”
IML ka bërë të ditur se është duke punuar intensivisht në analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave të marra gjatë autopsisë, me qëllim që sa më shpejt të përpilohet raporti zyrtar.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorin e Shtetit që e ka rastin dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë. IML është e përkushtuar në mandatin e saj ligjor, në mënyrë që të ofroj ekspertizën mjeko ligjore për organet e drejtësisë dhe qytetarët e Kosovës.”.
LEXO EDHE: