Tifo-grupi i Dritës, “Intelektualët”, kanë thënë se do të bojktojnë ndeshjet e skuadrës së tyre deri në shkarkimin e trajnerit Akis Vavalis dhe drejtorit sportiv Valon Zymberit.
Sipas tyre, Vavalis e Zymberi ‘janë fajtorët që Drita nuk po bën dritë e nuk po arrin qoftë edhe dy fitore radhazi’.
Reagim i tyre vjen pasi të hënë Prishtina shënoi fitore ndaj Dritës, me rezultat 1-0, në sfidën që u zhvillua në Lipjan.
“Përkundër dëshpërimeve të njëpasnjëshme, tash e tre sezone radhazi, ne kemi heshtur e nuk jemi ankuar, kemi qenë prezent e kurrë s’kemi munguar, duke besuar në profesionalizmin dhe seriozitetin e klubit, por tanimë situata ka arritur në kulminacion!”, thuhet në njoftim.
“Intelektualët 1998 deklarohen në bojkot nga sot deri në shkarkimin e trajnerit Akis Vavalis dhe drejtorit sportiv Valon Zymberi, që në sytë e gjithë tifozërisë dhe qytetit janë fajtorët kryesorë pse DRITA nuk po bën dritë e nuk po arrin qoftë edhe dy fitore rradhazi, pa folur për objektiva më madhorë që as nuk po shihen si të mundshëm në horizont!”.
“Nuk është aspak çështje rezultatesh apo trofesh, sepse Intelektualët kanë qenë aty, edhe në periudha tre vjeçare me barazhe, në lufta për mbijetesë e edhe në liga më të ulëta. Sepse ne asnjëherë nuk kemi qenë tifoz të sukseseve apo kupave, por vetëm të DRITËS. Kemi qenë aty, të zëshëm e të pandalshëm, edhe kur skuadra nuk fitonte kurrë e nuk i kishte as 10 pikë në renditje, por tani mjaft, sepse niveli ynë i përkrahjes, fanatizmi i qytetit pas DRITËS dhe dashuria e bartur nga gjyshërit te nipat për emblemën 1947, nuk meriton të njolloset nga paaftësia e një njeriu që ka ngatërruar edhe sportin, apo paaftësia e një trajneri që ka ngatërruar edhe vendin!”.
“Andaj, nga sot bojkotojmë tribinën deri në reflektim. Përzgjedhjen le t’a bën klubi. Ose ne ose Vavalis. Ose ne ose Zymberi. Por, paraprakisht dijeni se përgjegësi për veprimet e mundshme nuk i marrim më ne, përderisa nuk merren masa shkarkimi ndaj personave në fjalë. ULTIMATUM!”.