Tifo-grupi i klubit Drita, Intelektualët, kanë njoftuar se kanë pezulluar udhëtimin e tyre për në Podujevë për ndeshjen kthyese të UEFA Conference League FC DRITA – BREIDABLIK, e cila do të zhvillohet të martën me fillim nga ora 17:00 në Podujevë, njofton Gazeta Enigma.
Intelektualët thanë se arsyet për këtë vendim janë të qarta.
“Për ne është ofenduese, të na kufizohet numri në sektorin tonë apo të na jipen biletat falas”, thuhet në komunikatë.
“Si duket, kjo pseudokryesi e klubit na ka ngatërruar me shumë nga pseudogrupet e tjera Shqiptare, që gjithmonë kanë përfituar nga biletat dhe pijet gratis. Por, ne nuk jemi ata. Na me Dritën sjena pasunu, po kem jetu”, është thënë tutje në një postim në Facebook.
Intelektualët thanë se kryesia e Dritës po mundohet që “turpet e saja, dhunën e saj në një objekt privat kundër individave si dhe mosprofesionalizmin e të vetquajturit “drejtor sportiv”, t’i mbuloj me të tilla veprime kinse zemërgjera dhe të “na hyj në hatër”, duke iu referuar drejtorit sportiv të klubit, Valon Zymberit, dorëheqje e të cilit kërkohet nga tifozët tash e sa kohë, pas rrahjes së një tifozi në një lokal.
“Mirëpo, turpi nuk hahet me bukë e as nuk harrohet për pak bileta gratis. Kemi dhënë gjithçka kishim nga vetja, nga xhepi dhe nga pasuria e shëndeti ynë për këtë klub, që për ne është familje. Madje, shumë nga ne kemi dhënë edhe lirinë tonë, me dënime burgjeve. Nuk e kemi problem pagesën e biletës. Për ne është problem të dëmtohet imazhi dhe identiteti ynë, gjë për të cilën nuk ua japim kurrë atë kënaqësi. Andaj, ne nuk vimë se ju sna meritoni”, përfundon komunikata e Intelektualëve. /Gazeta Enigma