Inter–Milan për titull kampioni: Rikthehet derbi i zjarrtë në Serie A këtë fundjavë

Inter–Milan për titull kampioni: Rikthehet derbi i zjarrtë në Serie A këtë fundjavë

Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, këtë fundjavë rikthehet një nga përballjet më të zjarrta në futbollin italian, teksa dy skuadrat kryesore që po luftojnë për titull këtë edicion në Serie A do të takohen në “Derbin e Madoninnas”.

Interi dhe Milani, rivalët e qytetit, do të ballafaqohen të dielën nga ora 20:45, në ndeshjen e xhiros së 12-të të kampionatit italian.

Rivaliteti mes dy skuadrave të Milanos daton që nga viti 1908, kur u zhvillua ndeshja e parë, e cila nuk u luajt në Itali, por në Chiasso të Zvicrës, ku Milani triumfoi me rezultatin 2:1. Ndërkohë, ndeshja e parë zyrtare midis tyre u mbajt në vitin 1909.

Pas 11 xhirove të luajtura këtë edicion, Interi e kryeson tabelën me 24 pikë, ndërsa Milani ndodhet në vendin e tretë me dy pikë më pak. Me 24 pikë renditet edhe Roma që mban pozitën e dytë.

Në vitin 2001 u regjistrua fitorja më e thellë në histori të derbit, kur Milani fitoi 6:0.

Forma aktuale e të dyja skuadrave premton një duel të fortë. Interi ka fituar 11 nga 12 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ndërsa Milani është i pamposhtur në pesë sfidat e fundit kundër Interit dhe në dhjetë ndeshjet e fundit të Serie A.

Në të gjitha garat, Interi ka shënuar 341 gola në derbi kundër Milanit, 19 më shumë se “rossonerët”.

Në histori, mes dy skuadrave janë zhvilluar 228 ndeshje. “Nerazurrët” kryesojnë me 85 fitore, Milani ka 74, ndërsa 69 takime kanë përfunduar pa fitues.

Ndërkohë, kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, të shtunën nga ora 20:45 e pret Atalantan. Napoli renditet në vendin e katërt me 22 pikë, ndërsa Atalanta mban pozitën e 13-të me 13 pikë.

Te Napoli luan kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, kurse tek Atalanta paraqitet kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti.

Related Articles