Drejtori i Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës (SHSKUK) Valbon Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për numrin e pakët të qytetarëve që po shprehin interesim për t’u vaksinuar.
Krasniqi në RTV Dukagjini ka thënë se në pikun e pandemisë gjatë muajve shtator-tetor janë vaksinuar deri në 20 mijë persona, derisa sipas tij tash numri ditor i të vaksinuarve shkon nga një deri në tre mijë.
“Kjo nuk guxon të ndodh. Duhet ta shfrytëzojmë ende situatën në të cilën ndodhemi për të forcuar dhe intensifikuar procesin e vaksinimit. Edhe ata që kanë marrë dy doza dhe plotësojnë kushtet duhet të marrin dozën përforcuese apo dozën e tretë të vaksinës anti-COVID”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Drejtori i SHKUK-së ka shprehur shqetësim edhe për mosrespektimin e protokolleve të pandemisë nga ana e lokaleve të gastronomisë.
“Unë kam parë se pothuajse në asnjë lokal të gastronomisë nuk kërkohet certifikata e vaksinimit edhe pse në bazë të ligjit kërkohet”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi thotë se imuniteti kolektiv i fituar nga vaksinimi apo nga infektimet ka ndikuar që Kosova të ketë një situatë më të qetë pandemike në këto kohë. /Gazeta Enigma/.