Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka deklaruar se kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari.
Krasniqi u arrestua më 19 shkurt, teksa i njëjti dyshohet të ketë kryer trafikim me qenie njerëzore.
Urdhër-arresti ndërkombëtar për të është lëshuar nga policia e Italisë, raporton Indeksonline.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K) është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar “Gyushevo”. Shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasiqë i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli” thuhet në njoftim të MPJD-së.
Një gjykatë bullgare i caktoi masën e paraburgimit deri në vendosje rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradim të Krasniqit.
Hasan Krasniqi dyshohet të ketë kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara, përmes një kompanie të transportit të udhëtarëve, që është në pronësi të tij.