Një i mitur në Hajvali dyshohet se ka konsumuar marihuanë, pa e ditur se bëhet fjalë për drogë, shkruan Enigma.
Fëmija dyshohet se e mori ‘Jointin’ nga një 17-vjeçar.
Bazuar në informacionet e para të Sinjalit, rasti u denoncua nga nëna e viktimës, e cila raportoi në Polici për gjendjen e të birit dhe veprimet e tij të çuditshme pasi konsumoi drogë.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari e kishte marrë fëmijën te shtëpia e tij dhe më pas i ka dhënë narkotikë të llojit marihuanë.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur që të sigurojë prezencën e personit të dyshuar, i cili është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor nën dyshimin për veprën penale “Intoksikimi i personit tjetër me narkotikë ose substanca psikotrope”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal i Republikës së Kosovës, “kushdo që e intoksikon personin tjetër me narkotikë, substanca psikotrope apo substance analoge pa dijeninë e personit të tillë, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.“