Lidhur me rastin në Zllakuqan ku një polic pas konfrontimit me hajnat në shtëpinë e priftit mbeti i plagosur, ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në një postim të bërë në Facebook, ai ka falënderuar zyrtarët policorë që i janë përgjigjur shpejt rastit menjëherë pas marrjes së informatës.
Poashtu ai ka bërë të ditur se polici i plagosur pas trajtimit në QKUK është liruar për në shtëpi, derisa ka kërkuar që ky shpejt të zbardhet sa më shpejt dhe kriminelët të sillen para drejtësisë.
Reagimi i plotë:
Gjatë reagimit në një tentim vjedhje në Kishën e Zllakuqanit në mëngjesin e sotëm, gjatë shkëmbimit të zjarrit me personat e dyshimtë është plagosur pjesëtari i Policisë së Kosovës Januz Veselaj.
Përgëzoj zyrtarët policor për përgjigjen e shpejtë në rast pas marrjes së informatës dhe zyrtarin Januz Veselaj për reagimin profesional përkundër rrezikimit të jetës së tij.
Nga Drejtori i Policisë jam njoftuar se zyrtari Veselaj pas tretmanit të nevojshëm në QKUK është liruar për në shtëpi. I uroj shërim dhe kthim të shpejtë në detyrë.
Kërkoj nga njësitet përkatëse zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë.
Kushdo që në çfarëdo forme tenton të cënojë jetën apo pronën e qytetarëve tanë dhe shtetit tonë do të ballafaqohet me forcën e ligjit.