Inspektorati Policor i Kosovës, ka nisur grumbullimin e informacioneve dhe videoinicizimeve lidhur me sulmin ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi sot gjatë një proteste në Prizren.
Sipas disa videove të publikuara nga momenti i sulmit, prezentë janë rreth katër policë nga të cilët gazetari Krasniqi kërkon që të reagojë, por ata nuk shihet se kanë reaguar në mbrojtje të tij. Për këtë rast, IPK thotë se kanë filluar me procedurat dhe se kanë kërkuar raporte zyrtare nga stacioni policor në Prizren.
“Duke ju referuar kërkesës suaj rreth angazhimeve të Policisë së Kosovës për menaxhimin e protestës në Prizren, IPK ju konfirmon se sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informacioneve dhe videoinicizimeve lidhur me këtë rast. Përveç këtyre veprimeve , IPK ka kërkuar raporte zyrtare nga stacioni policor në Prizren lidhur me angazhimet policore gjatë menaxhimit të protestës. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigje për Express.
Ekipi i Nacionalës sot është sulmuar dhe penguar gjatë raportimit të protestës kundër Dokufestit në Prizren.
Për këtë, policia ka arrestuar një person.