Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se ka marrë një informacion lidhur me një incident që ka ndodhur në Stacionin Policor të Kaçanikut, ku dyshohet se gjatë arrestimit të një të dyshuari është bërë tejkalim i autorizimeve policore nga një zyrtar policor.
Hetuesit e Departamentit të Hetimeve në IPK kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore lidhur me rastin. Hetimi fokusohet në dyshimet për veprën penale të “Keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Pas konsultimeve me prokurorin kompetent, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt ligjore.
Në bazë të autorizimeve ligjore dhe për të siguruar transparencën dhe paanshmërinë e hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor të përfshirë në incident.
Hetuesit, në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë, pritet të ndërmarrin veprime të mëtejshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.