IPK: Zyrtarët policorë dyshohet se shkelën procedurat e Planit Operativ në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë

IPK: Zyrtarët policorë dyshohet se shkelën procedurat e Planit Operativ në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetimet pasi ka pranuar një ankesë dhe informacione lidhur me reagimin e Policisë së Kosovës në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicën e Jugut, mbrëmjen e djeshme.

Sipas IPK-së, hetuesit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar veprimet paraprake për të verifikuar pretendimet se zyrtarë policorë kanë ndërmarrë veprime hetimore brenda QKN-së pa autorizimin e prokurorit kompetent.

IPK thekson se veprimet janë ndërmarrë në bazë të autorizimeve ligjore të institucionit, duke pasur parasysh edhe pavarësinë operacionale të Policisë së Kosovës.

Hetimet fillestare sugjerojnë se disa prej procedurave të përcaktuara në Planin Operativ të Policisë për procesin zgjedhor nuk janë respektuar nga zyrtarët që kanë hyrë në QKN.

IPK njofton se hetimet do të vazhdojnë në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe në konsultim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim sqarimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Related Articles