Një zjarr në një dasëm në Irakun verior la të vdekur të paktën 100 njerëz dhe lëndoi 150 të tjerë, thanë autoritetet të mërkurën.
Zjarri ka ndodhur në provincën Nineveh të Irakut në zonën e saj Hamdaniya.
Nuk kishte asnjë deklaratë zyrtare për shkakun e zjarrit, por raportet fillestare nga kanali televiziv kurd Rudaë sugjeruan se fishekzjarrët në vendin e ngjarjes mund të kenë shkaktuar flakët.
Zyra rajonale e shërbimit të shpëtimit tha për mediat irakiane se fishekzjarrët çuan në një zjarr brenda sallës së dasmave, duke bllokuar mbi 700 të ftuar dhe duke shkaktuar shembjen e një pjese të tavanit të sallës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Saif al-Badr, dha shifrën e viktimave përmes agjencisë shtetërore të lajmeve të Irakut. “Po bëhen të gjitha përpjekjet për të ofruar lehtësim për ata që janë prekur nga aksidenti fatkeq”, tha al-Badr.
Kryeministri Mohammed Shia al-Sudani urdhëroi një hetim mbi zjarrin dhe kërkoi nga zyrtarët e Brendshëm dhe Shëndetësor të vendit të ofrojnë ndihmë, tha zyra e tij në një deklaratë në internet.
Najim al-Juburi, guvernatori provincial i Nineveh, tha se disa nga të plagosurit ishin transferuar në spitalet rajonale. Ai paralajmëroi se nuk kishte ende shifra përfundimtare të viktimave nga zjarri, gjë që sugjeron se numri i të vdekurve ende mund të rritet.