Mbështetësit e saj thanë të premten se Irani ka arrestuar laureaten e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi.
Një fondacion në emër të saj tha se ajo u ndalua në Mashhad, rreth 680 kilometra në verilindje të kryeqytetit, Teheran, ndërsa merrte pjesë në një përkujtimore për një avokate të të drejtave të njeriut që u gjet e vdekur së fundmi në rrethana të paqarta, raporton Associated Press
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Irani mbi ndalimin e Mohammadi-t, 53 vjeç. Nuk ishte e qartë nëse autoritetet do ta kthenin menjëherë atë në burg për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit të saj.
Megjithatë, ndalimi i saj vjen ndërsa Irani ka qenë duke ushtruar presion ndaj intelektualëve dhe të tjerëve, ndërsa Teherani përballet me sanksione, një ekonomi të dobët dhe frikën e një lufte të re me Izraelin. Arrestimi i Mohammadi-t mund të shkaktojë presion në rritje nga Perëndimi në një kohë kur Irani sinjalizon vazhdimisht se dëshiron negociata të reja me Shtetet e Bashkuara mbi programin e tij bërthamor – diçka që ende nuk ka ndodhur.
