Irani lëshon raketa balistike gjatë stërvitjeve si “paralajmërim” ndaj Izraelit

Irani lëshon raketa balistike gjatë stërvitjeve si “paralajmërim” ndaj Izraelit

Stërvitjet ushtarake të kryera këtë javë nga Irani kishin për qëllim t’i dërgonin një paralajmërim Izraelit, thanë të premten komandantët e lartë ushtarakë të vendit.

Irani i kreu këto stërvitje në Gjirin Persik mes shqetësimeve mbi planet e mundshme të Izraelit për të sulmuar vendet bërthamore iraniane.

Stwrvitjet përfshinin gjuajtjen e raketave balistike dhe të lundrimit. Televizioni shtetëror tregoi raketa duke rrafshuar një objektiv që i ngjante reaktorit bërthamor të Izraelit “Dimona”.

Shefi i Gardës Revolucionare iraniane, gjenerali Hossein Salami, tha se stërvitjet e kësaj jave kishin për qëllim të dërgonin një mesazh shumë të qartë dhe një paralajmërim serioz për rivalin rajonal Izraelit.

“Ne do t’ua presim duart nëse bëjnë një lëvizje të gabuar”, tha Salami në televizionin shtetëror.

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Mohammed Bagheri, tha se ishin lëshuar 16 raketa balistike të klasave të ndryshme.

“Stërvitja ishte një përgjigje ndaj kërcënimeve masive, por të pakuptimta të fundit të Izraelit ndaj Iranit”, tha Bagheri.

Irani ka thënë më parë se raketat e tyre me rreze të shkurtër dhe të mesme mund të arrijnë Izraelin, si dhe bazat amerikane në rajon, raporton DW, transmeton Gazeta Enigma.

Izraeli kundërshton përpjekjet e vendeve të tjera për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Teheranit të vitit 2015, duke pretenduar se Irani po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore. Irani thotë se dëshiron vetëm të zhvillojë një program bërthamor civil.

Izraeli besohet gjerësisht të jetë i vetmi vend i Lindjes së Mesme me një arsenal bërthamor./Gazeta Enigma/

Related Articles