Irani nuk emëron ambasador të ri në Suedi pas djegies së Kuranit

Irani nuk emëron ambasador të ri në Suedi pas djegies së Kuranit

Si pasojë e djegies së një kopjeje të librit të shenjtë të myslimanëve, Kuranit, në Stokholm, Teherani zyrtar ka shtyrë marrjen e vendimit për emërimin e një ambasadori të ri në Suedi.

Lajmin e konfirmoi më 2 korrik ministri i Jashtëm i Iranit, Husein Amirabdollahian.

Amirabdollahian shtoi se të gjitha detajet administrative veçse ishin kompletuar, mirëpo ishte vendosur që ambasadori i ri të mos e marrë postin në Stokholm.

Më 28 qershor, Teherani thirri diplomatët suedezë për të shprehur zemërimin lidhur me incidentin e ndodhur në Stokholm, ku dy burra dogjën një kopje të Kuranit pranë një xhamie në lagjen Sodermalm, në ditën e parë të festës së Kurban Bajramit.

Autoritetet irakiane thanë se njëri nga burrat ishte një shtetas irakian dhe kërkuan që Suedia ta ekstradojë për t’u gjykuar në Irak, ku djegia e Kuranit është një vepër penale.

Djegia e Kuranit në ditën e Kurban Bajramit ishte incidenti i parë i kësaj natyre në Stokholm në muajt e fundit.

Policia në kryeqytetin suedez lejoi që demonstrata të vazhdonte, përkundër që veprime të ngjashme ishin ndaluar në shkurt.

Gjykatat suedeze kishin vendosur që policia nuk kishte të drejtë ta refuzonte lejen për djegien e Kuranit.

Incidenti shkaktoi protesta në Iran dhe Irak, njofton REL.

Marrëdhëniet diplomatike midis Iranit dhe Suedisë kanë qenë të tensionuara prej disa kohësh. Një shtetas suedez-iranian u ekzekutua nga autoritetet iraniane këtë vit.

Related Articles