Ish-kryeministri Isa Mustafa thotë se përgjimet e publikuara ndërmjet shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me Slavko Simiqin tregojnë për bashkëpunimin e qeverisë Kurti me Listën Serbe. Ai thotë se terroristi Milan Radoiçiq ka pasur rol edhe në zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani.
Mustafa, i cili në vitin 2014-2017 sa ka qenë kryeministër ka pasur koalicion me Listën Serbe, thotë se nuk është takuar asnjëherë me Radoiçiqin dhe se ai s’ka pasur ndikimin në qeverinë e tij.
“Mirë që kanë dal këto në opinion sepse është krijuar një përshtypje në opinion se LVV-ja që është në pushtet nuk bashkëpunon me Listën Serbe. Tani del se jo vetëm që ka bashkëpunuar por ka qenë në një lloj koalicioni me Listën Serbe. Ti nuk mund të kërkosh nga shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe që ata të vijnë në Kuvend dhe të votojnë për një ligj apo për një gjykatës të Gjykatës Kushtetuese për çështje që janë me rëndësi për Kosovë dhe mos të kesh një marrëveshje me ata, pasi kjo s’ka ndodhur me parti të tjera që kanë qenë në opozitë. Çështje të tjera pastaj janë që kërkojnë edhe përgjegjësi morale, etike dhe përgjegjësi ligjore. Si mund të kërkosh prej një njeri që ka qenë i ndjekur ligjërisht që ai të kryejë punë ose të sjell vendime që i kërkon kuvendi apo qeveria nesër”, thotë ai për Kosova Press, përcjellë Gazeta Enigma.
Sipas tij, roli i Radoiçiqit duket të ketë qenë i madh. Ai thotë se i beson kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, kur deklaroi se ka biseduar me Radoiçiqin në praninë e Kurtit e Osmanit, pak para se kjo e fundit të zgjidhej presidente.
“Ishte edhe një deklaratë e zotëri Pacollit se ata kanë biseduar në mënyrë të drejtpërdrejtë… S’kemi arsye të mos i besojmë njërit i cili del dhe thotë se unë kam fol me Radoiçiqin në prezencën e këtyre (Kryeministrit) edhe të presidentes”, shton Mustafa.
Ai insiston se nuk është takuar asnjëherë me Radoiçiqin, gjatë kohës si kryeministër ka qenë në koalicion me Listën Serbe
“Ka qenë nënkryetar (Listës Serbe), por se kam takuar kurrë. S’kam biseduar asnjëherë me të. Ne kemi pasur relacione të hapura me Listën Serbe, pasi ka qenë pjesë e koalicionit qeveritar dhe ne kemi pas atëherë tre ministra të Listës Serbe në qeveri. Kanë qenë deputetë por ne kemi komunikuar me ministra që kanë qenë aty. Në atë kohë i kam shkarkuar dy ministra të cilët nuk vepronin në suaza të politikave dhe kërkesave tona. Por asnjë çështje se kemi bërë pas perde me ata edhe asnjë vendim se kemi pruar. Me Radoiçiqin s’jam takuar dhe atëherë s’ka qenë fare aktual ai në Kosovë”, thekson Mustafa.