Ish-ambasadori amerikan në Serbi, William Montgomery, ka thënë se pret nga presidenti Donald Trump të bëhet pjesë e ndryshimit për të shtyrë Kosovën dhe Serbinë të zbatojnë Marrëveshjen e Washingtonit.
Ai ka thënë se aktualisht situata e sigurisë është e paqëndrueshme.
“Mendoj se situata tani po bëhet potencialisht e dhunshme. E paqëndrueshme. Ka shumë situata, veanërisht në Kosovë, por edhe në Bosnjë, ku njerëzit janë shumë të zemëruar me njëri-tjetrin dhe dhuna mund të shpërthejë, dhe kjo është poenta ime, prandaj mendoj se kësaj duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje”, ka thënë ai për Danas.
Montgomery ka shtuar se Trump nuk ka bërë ende diçka për marrëdhëniet në Ballkan, dhe sipas tij, SHBA-ja po e neglizhon këtë rajon.
“Doja të theksoja shumë fort se situata aktuale në Bosnjë dhe në Kosovë nuk funksionon, nuk ka funksionuar për më shumë se 30 vjet, dhe prandaj sistemi duhet të ndryshohet. Do të duhet shumë kohë, mund dhe imagjinatë për ta ndryshuar këtë, por duhet të ndryshojë, dhe kam shpresa të mëdha se Presidenti Trump mund të jetë pjesë e këtij ndryshimi”, ka shtuar ai.