Ish ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa, në komentet e rezultateve të zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut, veprimtarinë e kryeministrit Albin Kurti e pa si minim të faktorit shqiptar, por edhe të faktorit maqedonas pro-shqiptar siç ishte ish-presidenti Stevo Pendarovski.
Ish-diplomati kosovar Hysa në RTV 21 komentoi kandidatët presidencialë në Maqedoni të Veriut dhe qëndrimet e Stevo Pendarovskit dhe ndikimit që do të ketë humbja e tij por edhe ndikimi i faktorit politik kosovar në atë humbje.
“Vetëm t’ua kujtoj se që kur u zgjodh si president, ai ka bërë emërimet e para në sektor të sigurisë. Për herë të parë është bërë komandant brigade një shqiptar, shef i zbulimit dhe kundërzbulimit ushtarak një shqiptar, shef i policisë ushtarake një shqiptar, 7 komandantë të batalioneve janë bërë shqiptarë, shefi për siguri kombëtare ka qenë shqiptar”.
Ish-ambasadori Hysa tregoi edhe një detaj risi në veprimtarinë dhe ndërhyrjen e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e fundit. Mjaft domethënës dhe siç e vlerësoi që vlen për t’u ritheksuar.
“Ai ka kërkuar nga zoti Kurti mirëkuptim, i cili i ka premtuar, prej burimeve direkte të kabinetit të Pendarovskit po iu them, që përkrahjen mund ta marr në raundin e dytë, mirëpo para asaj ai ka shpjeguar se zoti Kurti i ka pasur dy qëllime politike në jetë. Njërin e ka realizuar në Kosovë, i ka thënë tekstualisht, qëllimi im ka qenë ta heq luftën nga politika, këtë e kam arritur në Kosovë, dhe tani dua që këtë ta arrij edhe në Maqedoni por do bisedojmë në raundin e dytë. Kurrë nuk erdhi kjo bisedë. Vetë emërimi i zotit Taravari ka qenë një minim edhe teorik dhe praktik që zoti Pendarovski të jetë kandidat serioz, se kjo e detyroi rivalin shqiptar të VLEN që të dalë me Bujar Osmanin. Edhe nëse i shihni votat që i kishin dy kandidatët shqiptar, Taravair dhe Osmani, me ato vota, për herë të parë në historikun do të mund të kishin një kandidat shqiptar, që edhe kjo u pamundësua. U pamundësua direkt përshkak të rolit që ka pasur zoti Kurti, që është shumë e çuditshme për faktin që në këtë mënyrë ka ndihmuar fitore e zonjës Siljanovska-Davkova, e cila njihet se është konservatore nacionaliste, nga aspekti ideologjik i takon një të djathte që nuk është preferenca e zotit Kurti, pasi edhe Vetëvendosje dhe SDSM janë në grupin e partive të majta socialiste, e çuditshme dhe ia vlen për t’u theksuar dhe ritheksuar”.
Ai tutje ka komentuar se dëmi i veprimtarisë së Kurtit shkon jo vetëm për shqiptarët në Maqedoni të Veriut por edhe përtej në kontestin me Serbinë duke i anuluar argumente vetvetes.
“Ajo që ka bërë zoti Kurti, qeveria e Kosovës dhe parti në pushtet, Vetëvendosje, është një precedent i keq për vet Kosovën. Duke mos njohur interesin shtetëror, kombëtar të Kosovës ka bërë që një kandidat si Pendarovski të dështojë. “Në aspektin tjetër ka ngritur një precedent shumë të keq, sepse ka marrë pjesë, siç ndodhi edhe herën tjetër edhe në Shqipëri, në një vend fqinj në zgjedhje. E edhe më keq, me të njejtin emër të partisë. Zoti Vucic është e vërtetë që interferon maksimalisht në rajon dhe ka ndikim por ai kurrë nuk mori pjesë me emrin e partisë së tij. Ka krijuar eufemizma, Lista Srpska e SDM në Republika Srpska, por kurrë nuk ka marrë pjesë me partinë e tij në rajon. Me këtë mënyrë i është marrë nga retorika akuzuese e Kosovës argumenti për të akuzuar Vucic për ndërhyrje, sepse Kosova tani e bëri precedentin e njejtë, dhe besoj që pasojat e një veprimi të tillë politik do të shihen më vonë”.